Pamje: Kastrati fantastik, "bombardon" portën e ekipit hungarez - NACIONALE

Pamje: Kastrati fantastik, "bombardon" portën e ekipit hungarez

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi këmbëshpejtë i Kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati, ka shënuar gol për MOL Fehervar në sfidën që kjo e fundit po luan në udhëtim kundër Mezokovesd. Gol që është ogur i mirë për të në prag të fillimit të fushatës kualifikuese të Kosovës për Evropianin 2024.

Lirim Kastrati dalëngadalë po kthehet në optimumin e formës së vet. Sulmuesi anësor kosovar gjeti edhe golin e radhës në kampionatin hungarez.

Ai në minutën e 34-të u gjend më së miri në afërsi të shtyllës së parë, duke përfituar mjaft mirë nga një top i pranuar në zonë të rreptësisë, për ta dërguar më pas në rrjetë për 0:1 kundër Mezokovesd, falë një goditje tejet të fuqishme.

Gjithsesi, epërsia e mysafirëve zgjati as një minutë të tërë, pasi Besirovic riktheu rezultatin në baraspeshë, duke përfituar nga një huti e mbrojtjes së MOL Fehervar. Me rezultatin në barazim mbaroi edhe pjesa e parë.

Gjithsesi, ia vlen të theksohet se ky ishte goli i tretë për sulmuesin anamoravas në kampionatin hungarez. Gjatë verës së kaluar ai u transferua nga Legia Varsavia në MOL Fehervar, pasi kishte lënë shumë për të dëshiruar në skuadrën polake.

Prej që ka filluar faza pranverore në Hungari, Kastrati ka filluar të luajë rregullisht titullar. Golin e fundit në kampionat e kishte shënuar më 13 nëntor kundër Kisvaradas.

Ai ishte edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës në miqësoret që “dardanët” i zhvilluan në muajin nëntor kundër Ishujve Faroe dhe Armenisë. Rikthimi në një formë të kënaqshme edhe sa i përket gjendjes fizike është një prelud i mirë për të që ta sigurojë ftesën e përzgjedhësit Giresse në prag të fushatës kualifikuese për Evropianin 2024, që fillon në mars.

Lajme të ngjashme