Pamje: Gabimi trashanik i Arijanet Muricit, trajneri i Burnley tregon pse e nxori nga loja
Trajneri i Burnley, Vincent Kompany, ka thënë se e zëvendësoi portierin Arijanet Muric në barazimin e skuadrës së tij 1:1 me Watfordin për shkak se kosovari nuk po ndihej mirë, në përpjekje për ta minimizuar rëndësinë e gabimit të tij trashanik në pjesën e parë.
Burnley i shpëtoi disfatës kundër Watfordit falë një goli në minutën e 96-të nga Michael Obafemi, pasi vizitorët kishin kaluar në epërsi herët në pjesën e parë përmes Joao Pedro, pas një gabimi të pashpjegueshëm nga portieri i Kosovës.
Në fillim u duk sikur Murici do ta menaxhonte shumë mirë topin e gjatë në ajër të mbrojtësit të Watfordit Ryan Porteous.
Por nuk është në stilin e portierit kosovar të Burnley t’i bëjë gjërat në mënyrën të thjeshtë.
Me Keinan Davis dhe Joao Pedro që po vraponin drejt topit, në vend se të binte në zonën e tij dhe ta kapte me dorë, apo ta largonte me kokë, përfaqësuesi i Kosovës u përpoq ta largojë atë duke e goditur me gju.
Joao Pedro e ndëshkoi këtë gabim të Muricit duke shënuar nga afërisa pas 30 minutave lojë në Turf Moor.
Si pasojë, ish-portieri i Manchester City u zëvendësua nga Bailey Peacock-Farrell gjatë pushimit mes pjesëve.
Sipas Kompany, i cili u zgjodh trajneri më i mirë i muajit në Championship, arsyeja e zëvendësimit ishte sëmundja.
“Nuk ka diçka taktike që mund ta zgjidh këtu. Ai nuk po ndihej mirë”, tha Kompany kur u pyet pse e zëvendësoi kosovarin.
“Unë nuk jam dikush që emocionohet për gabime individuale. Ne duhet t’i marrim parasysh këto momente gjatë sezonit, ato i ndodhin gati çdo ekipi. Ne thjesht duhet t’i kufizojmë ato momente (gabime)”, shtoi ai.

Portieri 24-vjeçar, i cili iu bashkua Burnley në kategorinë e dytë të futbollit anglez verën e kaluar, është duke kaluar nëpër sezonin më të mirë në karrierë në përgjithësi.
Para kësaj ndeshjeje, ai kishte marrë lëvdata të shumta për paraqitjet e tij për Burnley këtë sezon.
Burnley është lider i tabelës në Championship dhe në rrugë të sigurt për t’u promovuar në elitën e futbollit anglez Premierligë.
Muric i ka bërë 28 paraqitje në Championship këtë sezon, duke mos pranuar gol në 11 prej tyre. Ai i ka pranuar 26 gola në ligë deri tani këtë sezon.
Në mars, Murici pritet të jetë pjesë kyçe e Kosovës për fillimin e fushatës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024, me ndeshjet kundër Izraelit dhe Andorrës.