Pamje: Emir Sahiti shënon gol kundër Guimaraes në Ligën e Konferencës - NACIONALE

Pamje: Emir Sahiti shënon gol kundër Guimaraes në Ligën e Konferencës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emir Sahiti ka ndihmuar Hajdukun që të shënojë një fitore të vlefshme në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës kundër Guimaraes, ku kroatët fituan me rezultat 3:1.

Më në fund sulmuesi kosovar, Emir Sahiti, ka gjetur rrugën e golit. Pas disa javësh ku ishte tërësisht nën hijen e formës së tij të zakoshme, sulmuesi këmbëshpejtë dardan u rikthye me një gol të çmuar.

Një verë e tërë e shoqëroi atë me spekulime të shumta që e lidhnin me një transferim te Hamburg. Negociatat vazhduan disa javë, por pa ndonjë epilog. Kur mendohej se ai ishte shumë pranë t'i thoshte lamtumirë Hajdukut, konfirmoi qëndrimin në klub.

Tani, me sezonin e ri që vetëm se ka filluar në Kroaci që prej tri javësh, 23-vjeçari synon që ta rikthejë formën e tij më të mirë. Një hap të mirë e bëri sot, ku shënoi gol në fitoren e mrekullueshme të Hajdukut kundër Guimares, me shifrat 3:1.

Goli i Sahitit, pikë kthese në lojë

Goli i sulmuesit kosovar, i cili erdhi në minutën e 67-të të ndeshjes, shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rezultatin përfundimtar të vetë takimit.

Sahiti u gjend siç është më së miri para portës, kur Hajduk vetëm se ishte vërsulur në sulm për ta kërkuar barazimin, meqë në minutën e 61-të kishte kaluar në disavantazh me golin e Maga.

Kësisoj, nga një aksion ku sulmuesi Livaja goditi me të majtën në mënyrë dinake, topi përfundoi në shtyllën e djathtë pingule. Sahiti ishte aty dhe me topin që iu rikthye në këmbën e tij, e shoqëroi atë në rrjetë, për ta barazuar rezultatin në 1:1.

Pas këtij goli, Hajduk mori zemër dhe ushtroi tryesni të vazhdueshme drejt portës së skuadrës portugeze. Të mbështetur edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh, skuadra kroate filloi që ta ushtronte diktatin e saj.

Kështu, ata përmbysën rezultatin me golin e mbrojtësit Melnjak, i cili erdhi në minutën e 75-të të takimit, sa për t'i gëzuar tej mase të gjithë të pranishmit në stadiumin e Splitit.

Ndërkaq, për t'i dhënë një dimension më të kristalët fitores, u përkujdes mesfushori kreativ, Krovinovic. 26-vjeçari u tregua i saktë me goditjen e tij në minutën e 87-të, duke lënë të shtangur portierin Varela. Me rezultatin 3:1 u mbyll edhe e tërë ndeshja.

Në këtë ndeshje Emir Sahiti luajti për 77 minuta në fushë. Ai u vlerësua me një paraqitje të mirë edhe nga shtypi kroat.

Hajduk ndeshjen e kthimit do ta zhvillojë më 10 gusht, ku do të udhëtojë në Portugali për të mos bërë ndonjë hap fals, duke marshuar sigurt drejt barazhit të kualifikimeve në Ligën e Konferencës.

Lajme të ngjashme