Kalimi i Emir Sahitit te Hamburg, peng i shitjes së Joshua Vagnoman - NACIONALE

Kalimi i Emir Sahitit te Hamburg, peng i shitjes së Joshua Vagnoman

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot, sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Emir Sahiti, i është bashkuar Hajdukut në fazën parapërgatitore verore. Në çdo rrethanë, kjo nuk e zhbën faktin se ai është afër të kalojë te Hamburg.

Gjiganti gjerman i futbollit, Hamburg, ia ka vendosur prioritet vetes që ta sigurojë kartonin e Emir Sahitit gjatë këtij afati kalimtar. Shtypi gjerman dhe ai kroat janë të bindur për një gjë të tillë. Edhe lojtari duket se është i ngazëllyer nga ky interesim. Ajo çfarë më së shumti deri më tani po shndërrohet në pengesë, ka të bëjë me faktin se Hamburg duhet t'i përfitojë disa miliona euro nga shitja e sulmuesit Joshua Vagnoman, në mënyrë për t'i siguruar paratë e mjaftueshme për ta afruar në radhët e saj Sahitin.

E përditshmja më e besueshme sportive në Gjermani, Bild, njofton për një ngërç të tillë, ku shpjegon se Stuttgart është klubi më i interesuar për t'u përforcuar me Joshua Vagnoman. Mirëpo, largimi i këtij të fundit po has në vështirësi që të zhbllohet, për arsye se klubi nga Baden-Württemberg, Stuttgart, po ballafaqohet me probleme financiare.

Deri sa nuk do të gjendet një zgjidhje dhe një formulë e duhur për ta zyrtarizuar shitjen e Vagnoman, atëherë Emir Sahiti, gjithnjë sipas mediumit Bild, do të mbesë peng i atij zhvillimi dhe do të qëndrojë në pritje.

Në anën tjetër, Sahiti tregoi korrektësi, duke u rikthyer në datën që ishte paraparë në fazën parapërgatitore të Hajduk. Skuadra e dytë më e trofeshme kroate është grumbulluar tani e disa ditë, por lojtarët që ishin të zënë me grumbullimet në kombëtare të ndryshme gjatë fillimit të qershorit, siç ishte në rastin e Sahitit, atëherë u ishte dhënë thuajse një javë shtesë pushim.

Rikthimi i sotëm i sulmuesit 23-vjeç në stërvitje ka ngjallur entuziazëm dhe gëzim te tifozët e Hajduk, pasi ishin në ankth me idenë se nuk do të paraqitej për ta rritur presionin te klubi, në mënyrë që të largohet sa më parë drejt Hamburgut.

Jo vetëm për pesë golat dhe katër asistet që regjistroi në sezonin e fundit të kampionatit kroat, por Sahiti, siç njofton edhe vetë shtypi kroat, ka rënë në shënjestër të shumë klubeve evropiane, përfshirë ato gjermane dhe italiane, për vazhdimësinë në formë që ka treguar, si dhe të qenit lojtar që mbulon shumë pozita dhe është i prirë t'i ndihmojë skuadrës.

Sahiti në nivel kombëtaresh ka vendosur që nga dhjetori të regjistrohet si futbollist i Kombëtares së Kosovës. Për shkak të pësimit të një lëndimi në mars nuk arriti të ishte pjesë e kontigjentit të lojtarëve të Dardanëve që u grumbulluan për dy miqësoret që u zhvilluan përballë Burkina Fasos dhe Zvicrës, por një gjë të tillë e bëri në qershor, ku madje debutoi ndaj Irlandës Veriore në fitoren që e arriti Kosova me rezultat 3:2, duke hyrë në fund të pjesës së dytë. Një hapësirë të ngjajshme në minutazh e pati edhe në humbjen që pësoi Kosova në udhëtim ndaj Greqisë.

Në rast se do ta kompletonte transferimin te Hamburg, sulmuesi kosovar atje do ta gjente edhe një bashkëkombas, Valon Zumberin, qendërmbrojtësin e Kosovës U21, i cili deri më tani ka qenë pjesë e skuadrës rezervë të klubit gjermano-verior, por që pritet të promovohet në ekip të parë nga sezonin që vjen.

Lajme të ngjashme