Emir Sahiti dhe dobia e tij në Kombëtaren e Kosovës - NACIONALE

Emir Sahiti dhe dobia e tij në Kombëtaren e Kosovës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi 23-vjeçar i Hajdukut, Emir Sahiti, në fundin e dhjetorit të vitit të kaluar ka pranuar ftesën për t'iu bashkuar Kombëtares së Kosovës. Për shkak të një lëndimi të lehtë ai nuk ka mundur të grumbullohet me dardanët në mars. Ndërkohë, në kampionatin kroat po vazhdon të ketë një ecuri shumë të mirë. Ai te Kosova do të ketë një trafik të tërë lojtarësh me të cilët do të konkurrojë për një pozitë titullari, por për dallim prej shumë nga ta, mund t'i luajë kartat në shumë mënyra.

Gjatë vjeshtës së kaluar ishin shtuar zërat që Emir Sahiti po dëshironte ta përfaqësonte Kombëtaren e Kosovës. Ky ishte ndër rastet e ralla kur lojtari dhe familja e tij kishin bërë një hap përpara, duke u vetofruar.

Përzgjedhësi i mëhershëm i Kosovës, Bernard Challandes, jo vetëm për nga natyra taktike ishte konservator. Dukej që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar në stafin teknik nuk ishin shumë të bindur që Sahitin ta ftonin në gjirin e ekipit kombëtar. Me pushimin e trajnerit zviceran nga puna dhe të shtyrë edhe paksa nga fakti që Kosova është në vendnumërim sa i përket afrimeve të reja kualitative në kombëtaren seniore, në fund të dhjetorit u zyrtarizua edhe proceduralisht Emir Sahiti do të ishte lojtari më i miri që do t'i përforconte radhët e dardanëve.

"Tre kartat" e Emir Sahitit në Kombëtaren e Kosovës

Ndryshe nga shumica e lojtarëve sulmues të krahut të Kosovës, Emir Sahiti nuk e ka fare problem t'i alternojë krahët duke lëvizur nga njëri, në tjetrin. Ta zëmë, në ndeshjen derbi ndaj Osijek të luajtur para dy javësh, luajti për 75 minuta në krahun e majtë, për t'u zhvendosur pastaj në atë të djathtë në fund të ndeshjes. Jo vetëm që lëviz nga njëri në tjetrin krah, por edhe përformanca e tij në ndërkohë nuk pëson ndryshim. Pra, te dy krahët mund t'i mbulojë në të njëjtën lartësi. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe javën e kaluar ndaj Sibenik, ku pjesën e parë e luajti në krah të djathtë, kurse të dytën në krah të majtë, ku nga minuta në minut rriti intensitetin e sulmeve, driblimeve dhe goditjeve drejt kuadratit të portës.

Këtë veçori taktike në Kombëtaren e Kosovës momentalisht e posedon vetëm Milot Rashica. Të gjithë të tjerët, të cilët i mbulojnë krahët e sulmeve, janë të prirë të luajnë vetëm në njërin krah shumë mirë, ndërsa në tjetrin vuajnë shumë apo nuk munden fare ta mbulojnë.

Përveç krahëve, ai ia del të luajë edhe mbrapa qendërsulmuesit. Të dhënat e detajuara rreth rendimentit të tij në fushë tregojnë sa është polivalent. Ai në 38% të rasteve ka luajtur si sulmues i krahut të majtë, 31% në krahun e djathtë, ndërsa 31% tjera mbrapa qendërsulmuesit Kalinic.

Statistikat e hollësishme të Emir Sahitit

Zhvillimi i sulmuesit Sahiti në këtë sezon futbollistik ka qenë enorm. Ai po luan rol të rëndësishëm në ecurinë e Hajduk, skuadër e cila renditet në pozitën e tretë tabelare në kampionatin kroat, duke luftuar për të zënë një vend që shpie në kupat evropiane.

Për dallim nga sezoni i kaluar, ai në shumicën e parametrave ka shënuar rritje domethënëse. Të dhënat e hollësishme rreth tij tregojnë që në sezonin paraprak në 35 paraqitje kishte shënuar 7 gola, duke ofruar edhe 2 asiste. Ndërkaq, në këtë sezon, në 33 paraqitje ka shënuar 6 gola dhe regjistruar 6 asiste tjera.

Nëse akoma shënimi i golave nuk është arma e tij më e fortë në krahasim me rastet e shënimit që vetë i krijon, ai në një komponentesh tjera po shënon progres të konsiderueshëm. Pasimet i ka çdoherë e më të sakta dhe teknikisht ka shënuar rritje. Pasimet kyçe si mesatare në sezonin e kaluar i kishte 0,18 për ndeshje, kurse në këtë sezon i ka 0,52.

Megjithatë, përtej efikasitetin që akoma nuk e ka në lartësinë e duhur, ai ka rritur ndjeshëm praninë e tij në portën kundërshtare. Edhe goditjet i ka shpeshtuar. Në sezonin e sivjem regjistron për ndeshje si mesatare 1,65 goditje drejt kornizës së portës, kurse në sezonin paraprak 1,15.

Harkimet i ka përmirësuar ndjeshëm dhe ka marrë po ashtu përgjegjësi të reja. Kushdo që i shikon me kujdes ndeshjet e Hajduk, vëren që ai është lojtari të cilit i besohet ekzekutimi i çdo ndërprerje, përfshirë këndoret dhe gjuajtjet e lira. Mirëpo, edhe në aksione ai ka regjistruar përmirësim më shumë sesa 100% kur merret për bazë mesatarja e harkimeve, me 1,94 për ndeshje në këtë sezon, me 0,74 sa e kishte në sezonin paraprak.

Gjithmonë është edhe më i predispozuar t'i fitojë duelet në ajër dhe të luftojë për to, përkundër faktit që nuk është shtatlart. Pavarësisht kësaj, Sahiti në këtë sezon i fiton 43% të këtyre dueleve, ndërsa në edicionin paraprak ai dilte t'i fitonte 26%.

Vetëm në duele fizike çalon ende paksa, por nuk mund të thuhet që është fragjil.

I kudondodhur në fushë

Kosova për hir të së vërtetës nuk ka vuajtur asnjëherë për elementet e saj teknikë në fushë. Ato i ka pasur me bollëk. Çfarë është vënë re shpesh në ndeshjet e Kosovës ka qenë distanca mes reparteve dhe futbollistëve, për shkak se pak prej tyre janë të prirë që të mbulojnë fushën pa top ashtu siç duhet dhe fazën defanzive nuk e kanë më të mirën shumica e lojtarëve me tipare sulmuese. Paçka edhe boshllëku pastaj vihet në spikamë, kur asaj i shtohet edhe një mesfushë në krizë tani e sa vite.

Emir Sahiti në këtë aspekt garanton siguri. Në këtë ilustrim që mund ta shihni, të cilin e kam siguruar duke e analizuar rendimentin e tij në kampionatin kroat, është mostra e asaj se sa shumë e mbulon tërë fushën sulmuesi Sahiti përgjatë 90 minutave. Nganjëherë pamjet flasin më mirë sesa fjalët.

Ndërsa në ilustrimin tjetër mund të shihni zonat e fushës ku Sahiti është në kontakt me topin përgjatë një ndeshjeje.

Pra, ajo që e cekëm më herët, aftësia e tij për t'i alternuar krahët dhe për t'u futur diagonalisht në sulm pa top, për liruar dhe pranuar atë [që e bën shpeshherë në koordinim me Livaja dhe Kalinic], bëjnë që ai të jetë i kudondodhur në fushë dhe të luajë nganjëherë edhe si lojtar i lirë "jashtë skemave".

Karakteristikat tjera si lojtar të Sahitit

Ai në momente të shumta të ndeshjes kthehet në gjysmëfushë, merr topin dhe organizon ndërtimin e aksionit nga e para, duke e luajtur rolin e "regjisorit fals" të lojës.

Ai luan me të dy këmbët, por të djathtën e ka armën kryesore, ndërsa me të majtën di të luajë dhe të godasë, por në formë dukshëm më të zbehtë.

Kur kësaj i shtohet edhe tipari i tij altruist në fushë, bën që Kosova të mund të llogarisë në shumë prej komponenteve të tij të rëndësishme që ekipit dardan do t'i sillnin shumë dobi për ta pasur pjesë integrale të saj; -se nga fillimi i ndeshjes apo si zëvendësues, varësisht prej nevojës, kundërshtarit apo skemave që dëshiron t'i përdorë përzgjedhësi i ri francez, Alain Giresse.

Lajme të ngjashme