Pak orë pas lajmit të Nacionales, Alba e FFK-së e thirri Trepçën ’89: “Hajde merrni GPS-at” - NACIONALE

Pak orë pas lajmit të Nacionales, Alba e FFK-së e thirri Trepçën ’89: “Hajde merrni GPS-at”

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Drejtori i Përgjithshëm i Trepçës ’89, Even Zeka, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale se klubi i ka kthyer në Federatën e Futbollit të Kosovës katapultat GPS në fillim të kësaj jave, pasi kompania jugkoreane Fitogether i kishte kërkuar 3 mijë euro pagesë për t’i përdorur ato deri në fund të majit.

Shtëpia e futbollit, e udhëhequr nga Agim Ademi, u përpoq ta hedhë poshtë lajmin e së mërkurës, 1 mars 2023, të Nacionales për tërheqjen e tij nga ky projekt, duke shfrytëzuan mediat online që i kontrollon.

Por të paktën dy klube, Trepça ’89 dhe Drita, e kanë pranuar publikisht se kanë marrë letër elektronike nga Fitogether se duhet të paguajnë për t’i përdorur ato deri në fund të këtij sezoni.

Chinar Mammar nga Fitogether, ka lyp me dit nëse na dojmë me i përdor pajisjet, na ka dërgu imella. Edhe na i ka çu ofertat. Ato oferta kanë qenë kështu, me e përdor pajisjen deri në maj 2023 duhet me i jep edhe 3 mijë euro edhe tani nëse dojmë me përdor deri në fund të 2025-s, me i jep edhe 22 mijë euro”, tha Zeka për Nacionalen të enjten.

Zeka konfirmoi se pasi ishte kontraktuar nga Fitogether të hënën më 27 shkurt dhe i ishte kërkuar t’i kthente menjëherë pajisjet teknologjike në federatë, ai e kishte bërë këtë të martën më 28 shkurt, ditën e shortit të Kupës së Kosovës.

Unë i thashë nuk jemi të interesum me i përdor për arsyeje tona personale. Ai tha në rregull, a kishte mujt me i kthy (pajisjet) në federatë. I thashë që nuk është problem. Tha a kishte mujt qito ditë. Dmth këtë të hënë, unë i thashë jo sot, por nesër t’i kthej. Unë të martën kur u mbajt shorti i kam kthy. Edhe Alba e federatës më ka thirr çka është arsyeja pse i ke kthy. I thashë të kom tregu që na ka thirr ai (nga Fitogether), dmth unë jam kanë në kontakt me federatën. Të kam kontaktuar që na i kanë çu ofertat për më i mbajt po unë të kom thanë që nuk jam i interesum. Edhe Alban tha në rregull.

Alba Morina, shefe për marketing në FFK, i kishte telefonuar Zekës për t’i kërkuar të vijë për t’i marrë katapultat PGS, një ditë më vonë, rreth dy orë pasi Nacionale e kishte publikuar artikullin rreth kësaj çështjeje të mërkurën.

Të nesërmen, dmth të mërkurën më ka thirr federata më ka thanë ‘hajde merri se u kanë një keqkuptim, deri në fund të majit i keni në përdorim, por mas majit kush don me i përdor klubet i vazhdojnë vet, kush nuk don me vazhdu, i kthen. Edhe vijnë i marrin kta kompania edhe ditën e mirë.

Fetih Murseli, drejtori i përgjithshëm i Dritës, konfirmoi se klubi vendosi ta vazhdojë marrëveshjen vetë me kompaninë jugkoreane, kur e mori ofertën në janar.

Kompania na ka njoftuar në janar se marrëveshja përfundon dhe se PGS do të ndalen dhe a keni interes ju si klub ta vazhdoni kontratën. Ne si klub kemi pasur interes dhe e kemi vazhduar për një vit e gjysmë sepse kemi pasur interes dhe nuk na u kanë ndalë asnjë ditë”, tha Murseli.

Ai shtoi: “Marrëveshja gratis që e kemi pasur prej federatës paska qenë njëvjeçare, sepse në momentin që u bë një vit, ata na njoftuan që marrëveshja përfundon dhe ne nuk kemi dashur ti heqim GPS sepse e kemi parë që janë të nevojshme dhe me financat e klubit e kemi vazhduar për një vit e gjysmë.”

Ademi – i cili është në rigjykim për detyrim – kishte bërë fushatë të madhe kur ua kishte ndarë të gjitha klubeve të Superligës katapultat në nëntor të vitit 2021, duke e prezantuar atë si “projekt të FFK-së me produktet e kompanisë së licencuar nga FIFA, Fitogether”, që do të zgjaste me vite të tëra.

Por pas rreth një viti, shtëpia e futbollit është tërhequr nga marrëveshja me firmën jugkoreane madje pa i njoftuar fare klubet, pavarësisht se u kishte premtuar atyre se do të mundë t’i përdornin ato për dy vite të paktën në fazën e parë të projektit.

Ademi kishte bërë fushatë shumë të madhe në rrjetet sociale, në media dhe në uebsajtin zyrtar të Federatës për këtë projekt, madje duke i dorëzuar katapultat tek secili nga 10 klubet se Superligës veç e veç.

Projektin e katapultave GPS Ademi e kishte prezantuar si projekt me tri faza, por ende pa përfunduar mirë faza e parë, ai u tërhoq pa dhënë asnjë shpjegim për klubet apo publikun.

Gjatë dorëzimit të katapultave të para në klubet si Feronikeli, Drenica dhe Dukagjini, Ademi ishte zotuar se pas një viti do ta vazhdonte projektin e digjitalizimit, duke sjellë GPS edhe për take futbolli dhe për topa futbolli.

Po ashtu, gjatë një interviste për media në dhjetor dhe në fjalimin e tij në fund të vitit për projektet dhe të arriturat, 61-vjeçari e kishte përsëritur zotimin për vazhdimin e projektit me pajisje të reja më të rëndësishme.

Ne i kemi bërë katapultat, kemi shkuar nëpër klube. Secili futbollist e ka mundësin ta shoh se sa e ka kapacitetin, secili trajner ta shoh se sa është i angazhuar secili futbollist. Pas tyre do të vijnë katapultat në këpucë të lojës përmes të cilës futbollistët do ta shohim precizitetin apo prekjen e topit, pas kësaj është faza e fundit sigurisht që do të jetë topat që do të ndodhen në stërvitje për ta parë precizitetin dhe shpejtësinë e shutit të secilit futbollist", kishte thënë Ademi në një intervistë për KosovaPressin në fund të vitit 2021.

Lajme të ngjashme