Pa gola në derbin mes Prishtinës e Ballkanit, Malisheva e ndal Dritën - NACIONALE

Pa gola në derbin mes Prishtinës e Ballkanit, Malisheva e ndal Dritën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas pushimit ku kombëtaret zhvilluan miqësoret e marsit, Superliga e Kosovës është kthyer në aksion, ku sot ishin dy ndeshje shumë interesante, me Prishtinën e Ballkanin që barazuan pa gola, e në anën tjetër Malisheva e ndali Dritën 1:1.

Këto rezultate të ditës së sotme shkojnë në favor të Llapit, e cila luan nesër me vendin e fundit në tabelë Lirinë dhe ka mundësinë ta rrëmbejë vendin e parë.

Sa i përket dy ndeshjeve të sotme, fokusi kryesor ishte në derbin mes Prishtinës e Ballkanit që u zhvillua në Lipjan.

Kryeqytetasit e filluan mirë, ku vetëm pas dy minutave patën rast të mirë me anë të Kushtrim Gashit, por që gjuajtja e tij me kokë u prit nga Enea Koliçi.

Edhe në vazhdim të ndeshjes gola nuk pati, ndonëse Danfa për Ballkanin rrezikoi dy herë, njëra që shkoi pranë portës dhe tjera që u ndal nga portieri Agron Kolaj.

Pas 90 minutave, ndeshja përfundoi me barazim, me Ballkanin që mund ta humbasë vendin e parë tani, pasi ka 53 pikë me 27 ndeshje të zhvilluara, e ndjekur nga Llapi me 51 pikë por një ndeshje më pak, ndërsa Prishtina mbetet shumë pas, në vendin e pestë me 39 pikë.

Ndeshja tjetër mes Malishevës dhe Dritës u zhvillua në stadiumin Liman Gegaj.

Drita shënoi e para, por që nuk arriti ta mbante rezultatin për shumë gjatë.

Ishte Ensar Huruglica që shënoi në minutën e 10-të për 1:0.

Malisheva u kundërpërgjigj me Altin Aliun që realizoi gol shumë të bukur për rezultatin 1:1.

Malisheva pati dy raste të mira në pjesën e dytë me Altin Aliun e Drilon Hazrollajn, por që nuk arritën të shënojnë, me rezultatin që mbeti ai i pjesës së parë.

Drita me barazim mbetet në vendin e tretë me 51 pikë, ndërsa Malisheva gjendet menjëherë pas saj me 48 sosh.

Lajme të ngjashme