Pa fitues në “Fadil Vokrri”, Gjilani mund Llapin
Prishtina ka ndarë pikët në derbin ndaj Suharekës, derisa Gjilani triumfoi në përballjen ndaj Llapit.
Skuadra bardhëkaltër barazoi në shtëpi me rezultat 2:2 në sfidën ndaj Suharekës, sfidë që ishte shumë e hapur nga fillimi.
Leutrim Kryeziu me një gol të bukur pas asistimit të Dion Gallapienit i dha epërsinë Prishtinës (37’).
Sidoqoftë, Suhareka u këndell shpejtë përmes autogolit të Ardian Limanit (44’).
Mysafirët pastaj e përmbysen epërsinë me anë të Mevlan Zekës që shënoi një gol të bukur (60’).
Megjithatë, Prishtina s’u dorëzua duke e barazuar rezultatin në fund falë Leutrim Kryeziut (80’).
Prishtina me këtë pikë mbetet në pozitën e katërt me 28 pikë të mbledhura, kurse Suhareka renditet në vendin e pestë me 26 sosh.
Në anën tjetër, Llapi nuk di për këndellje – ku ka regjistruar humbjen e nëntë të sezonit, këtë herë në shtëpi ndaj Gjilanit me rezultat 0:1.
Heroi i Gjilanit ishte Sabit Bilali, që realizoi pas një aksioni të shpejtë, duke marrë një asistim të bukur nga Jarovic (61’).
Gjilani me këtë fitore zë pozitën e gjashtë me 24 pikë derisa Llapi mbetet në pozitën e parafundit me 18 sosh.