Ozil i mërzitur pas largimit nga Fenerbahce: Planet nganjëherë nuk shkojnë siç dëshiron - NACIONALE

Ozil i mërzitur pas largimit nga Fenerbahce: Planet nganjëherë nuk shkojnë siç dëshiron

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ozil gjatë ditës së sotme kompletoi transferimin te rivali lokal i Fenerbahces, Istanbul Basaksehir. Mesfushori i ka bërë të qarta arsyet e transferimit.

Për javë të tëra u la jashtë skuadrës. Mesut Ozil nuk figuronte më në planet e stafit teknik dhe drejtuesve të Fenerbahçes. Kësisoj, largimi nga Fenerbahce u pa si e vetmja zgjidhje.

Vetë transferimi te rivali lokal, Instanbul Basaksehir, nxiti një mal reagimesh në taborrin e Fenerbahces, ku tifozët e saj u indinjuan me vendimin që kishte marrë Ozil.

Sqarimi i Ozil

Për të sqaruar çdo gjë u përkujdes vetë Ozil, i cili me anë të një të letre të shkurtër shpjegoi çfarë kishte ngjarë dhe ua dha lamtumirën tifozëve të Fenerbahces.

Në letrën e shkruar nga ai, vërehej qartë një mërzi e madhe, sepse, ndër të tjera, Fenerbahce ka qenë gjithmonë edhe skuadra e tij e preferuar që nga fëmijëria.

"Njëra nga gjërat që bën që jeta të jetë e tillë është sepse ka përplot paqartësi. Planet dhe dëshirat tona mund të mos shkojnë gjithmonë në drejtimin e dëshiruar.

"Dëshiroja ta arrija suksesin, duke gjetur sa më shumë mundësi për të luajtur me fanellën e skuadrës së Fenerbahces, gjë e cila ishte ëndërr prej fëmijërisë.

"Dëshiroj ta falënderoj komunitetin e Fenerbahces dhe tifozët për interesimin dhe brengosjen që kanë dëshmuar ndaj meje gjatë kësaj kohe"
, ka shkruar Ozil.

Karriera në Fenerbahce mbyllet pa gjurmë

Asnjë gjurmë Mesut Ozil nuk e la në aventurën e tij te Fenerbahce. Sado që u prit me shumë pompozitet kalimi i tij te gjiganti turk para një viti, në fushë nuk u dëshmua asnjëherë duke bërë dallimin.

Në një moment Ozil është akuzuar se është ngopur nga futbolli dhe se koncentrimi i tij i madhe te videolojërat ka bërë që ta humbasë edhe shkëlqimin në fushë.

Në anën tjetër, Ozil nuk e ka fshehur asnjëherë pasionin për videolojërat. Agjenti i tij para disa javësh kishte deklaruar që Ozil do të mund të shndërrohej shumë shpejt në lojtar profesionist në këto videolojëra.

Fakti që më shumë spekulohej për jetën e Ozil jashtë fushës së blertë sesa që flitej për paraqitjet e tij brenda saj, kishte bërë që drejtuesit e klubit ta pushonin besimin tek ai, duke e futur në listën e lojtarëve ndaj të cilëve nuk llogaritin.

Kishte periudha të caktuara kur mendohej se ai do të pensionohej edhe nga futbolli, por në fund zgjodhi që të vazhdojë të luajë si futbollist profesionist.
Mesfushori 33-vjeçar do të ketë mundësi që t'i heshtë kritikët, por nuk do ta ketë të lehtë ta rikthejë gjendjen fizike optimale të cilën e kishte dikur.

Lajme të ngjashme