Nunez ia siguron Liverpoolit tre pikët e reja, Chelsea ndalet me barazim nga Brentford
Liverpooli ka siguruar edhe tre pikët e radhës, duke mposhtur 1-0 West Hamin. Chelsea nuk ia doli të nxjerrë më shumë se një barazim nga ndeshja me Brentford. Titullar për skuadrën londineze ishte sulmuesi shqiptar, Armando Broja.
Jurgen Klopp i është gëzuar një triumfi të ri në kampionat, duke shpresuar që tani e tutje skuadra të mund ta rikthehet në një seri fitoresh.
Paraqitja ishte e mirë nga ana e të besuarve të tij. Me paraqitje të mirë u veçua edhe Darwin Nunez, sulmuesi i shumëpërfolur ndaj të cilit nuk munguan kritikat gjatë tërë këtyre javëve. Pikërisht ishte uruguajasi ai që shënoi golin e fitores.
Në sfidën tjetër që u veçua nga ato që filluan në ora 20:30 në Premierligë, Brentford bëri një lloj befasie në vete, duke ndalur Chelsean, i cili po rrugëtonte në një formë mjaft të mirë së fundi. Armando Broja për herë të parë luajti titullar në Premierligë me fanellën e klubit londinez. Pjesa e parë e tij ishte dinjitoze, ndërsa në të dytën ra nga ritmi i lojës, me ç’rast edhe u zëvendësua.
Raporti i ndeshjes Liverpool 1:0 West Ham
Liverpool e nisi furishëm ndeshjen duke kërkuar që sa më parë ta zhbllokonte rezultatin.
Ishte Nunez ai që në minutën e 15-të bëri një goditje tejet të bukur brenda 16-metërshit. Goditja e tij përfundoi në shtyllën e lartë të portës. Fabianksi shpëtoi mrekullisht në këtë rast.
Megjithatë, rasti në fjalë ishte vetëm një paragjellë i asaj çfarë do të pasonte më vonë. Në minutën e 22-të mbrojtësi Tsimikas harkoi mjaft bukur. Nunez u shkëput më lart sesa mbrojtësit që e mbulonin dhe dërgoi topin në këndin e djathtë të portës për 1:0.
Ky ishte goli i tretë që shënoi sulmuesi 23-vjeçar në kampionatin anglez.
Liverpool vazhdoi mbizotërimin në lojë edhe në minutat që pasuan. Sidoqoftë, nga një situatë që nuk premtonte shumë, West Ham fitoi një penallti në të mirë të vet në minutën e 43-të.
Përgjegjësinë për ta goditur penalltinë e mori Bowen. Sulmuesi anglez nuk u tregua i saktë nga 11-metërshi, goditjen e të cilit e lexoi Alisson.
Kështu u mbyll edhe pjesa e parë, me Liverpool që shkoi në zhveshtore me epërsi minimale.
Pjesa e dytë u karakterizua me një seri përpjekjesh nga Liverpooli për ta dyfishuar rezultatin, por që mungoi konkretizimi i rasteve për shënim.
Me këtë fitore të dytë rresht skuadra e Klopp ngjtitet në pozitën e 7-të tabelore me 16 pikë të grumbulluara. Ndërsa, West Ham zë pozitën e 12-të me 11 pikë të arkëtuara.

Raporti i ndeshjes Brentford 0:0 Chelsea
Kishte kureshtje të madhe për ta parë Chelsean, veçanërisht për faktin se luante nga minuta e parë Armando Broja.
Më mirë ndeshjen e nisi Brentford që pati më shumë tryesni në portën e Chelseat në çerekun e parë të lojës.
Rasti i parë për shënim për Chelsean erdhi në minutën e 37-të me mbrojtësin spanjoll, Azpilicueta. Ai shpërdoroi një mundësi të mirë shënimi. Raya tregoi reflekset e duhura, duke bërë një pritje të mirë.
Pjesa e dytë nisi sërish me të njëjtin avaz. Në njëzet minutat e para Brentford provoi me anë të disa daljeve të shpejta që ta befasonte Chelsean.

Armando Broja u zëvendësua nga loja në minutën e 62-të, duke i lënë hapësirë Sterlingut.
Sado që Chelsea rriti intensitetin e sulmeve deri në fund të ndeshjes, nuk ishte e mjaftueshme për ta zhbllokuar rezultatin.
Kështu, ndeshja përfundoi me rezultat 0:0. Një pikë për të dy ekipet, ku më shumë i konvenon Brentfordit, pasi konsolidon pozitën e 9-të me 14 pikë. Ndërkaq Chelsea pas një seri fitoresh prej katër ndeshjesh në kampionat, rikthehet te barazimi.
Për momentin ekipi i Potter zë pozitën e 4-të me 20 pikë në renditjen tabelore.