"Nuk na nevojitet '9'-shi": Tuchel hedh poshtë mundësinë e blerjes së Lewandowskit
Thomas Tuchel i ka hedhur poshtë zërat që e lidhin Robert Lewandowskin me një kalim të mundshëm te Chelsea.
Odiseadë e vërtetë mund të konsiderohet e ardhmja e sulmuesit polak, Lewandowski. Barcelona insiston që ta ketë në radhët e veta sa më parë që është e mundur, por bavarezët në anën tjetër po ngurrojnë që t'i pranojnë ofertat e katalonasve.
Shtypi evropian gjatë orëve të fundit ka raportuar se Chelsea është i interesuar që ta transferojë atë. Tuchel, nga SHBA-të ku po qëndron në fazën përgatitore Chelsea, është deklaruar në lidhje me këtë çështje.
"9"-shi nuk është prioritet
Thomas Tuchel nuk u ka ikur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me Lewandowskin.
"Nuk mendoj që ekziston ndonjë mundësi, por nëse do të kishte e dimë që ai është ndër sulmuesit '9'-sh më të mirë. Por, prioriteti deri më sot nuk është te numri 9.
"Ne e kemi arritur objektivin tonë, duke u përforcuar me Sterling dhe në fazën sulmuese jemi shumë fleksibilë", ka shpjeguar Tuchel.
Lewandowski në pritje të Barcelonës
Edhe pse vendosi që të jetë profesionist, duke u paraqitur në fazën përgatitore të Bayern, mendja e Lewandowskit është vetëm te Barcelona.
Bayern këmbëngul që ai të qëndrojë, pasi ka edhe një vit tjetër kontratë. Veçmas në dy vitet e fundit janë një mori lojtarësh që kanë çuar deri në fund kontratat me klubet e tyre, ndryshe nga më parë, kur kjo ndodhte fare rrallëherë.
Klubi gjerman disa herë e ka potencuar faktin se nuk janë për lëmoshë dhe se një ikje eventuale e Lewandowskit me parametra zero nuk do ta falimentonte klubin, pasi financiarisht qëndrojnë shumë mirë me bilancin vjetor.
Lewandowski ia ka bërë të qartë Bayernit që nuk e ka ndërmend ta rinovojë kontratën, anipse Salihamidzic si drejtor ia ka paraqitur një ofertë, të cilën polaku e ka refuzuar.


