“Nuk jam budalla të lëshoj kontratë veç për 2 muaj” – FFK lejon kontratat e jashtëligjshme në Superligë - NACIONALE

“Nuk jam budalla të lëshoj kontratë veç për 2 muaj” – FFK lejon kontratat e jashtëligjshme në Superligë

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Ferizaj i kishte të paktën dy lojtarë me kontrata tejet afatshkurtra këtë sezon dhe si pasojë në kundërshtim me rregulloren e vet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të FIFA-s për statusin e futbollistëve.

Gazeta Nacionale i ka parë kontratat e Moussa Kamara dhe Helistano Ciro Manga me Ferizajn, të cilat ishin nënshkruar me kohëzgjatje më pak se dy muaj - të dy në periudhë të njëjtë - nga 6 tetori 2022 deri më 20 nëntor 2022.

Këto kontrata u bënë në kundërshtim me rregulloren e FFK-së për statusin e lojtarëve, neni 60, si dhe me rregulloren e FIFA-s për statusin e lojtarëve, neni 18-të.

“Kohëzgjatja minimale e kontratës profesionale është periudha nga dita e lidhjes së saj e deri në fund të sezonit garues, ndërsa më e gjata është 5 vite”, theksohet në rregulloren e FFK-së, e cila është në harmoni me rregulloren e FIFA-s.

Në një audio-incizim të siguruar nga Gazeta Nacionale, presidenti i Ferizaj, Lulzim Abazi, e pranon se kontrata që klubi i tij dhe Kamara e kishin nënshkruar dhe dorëzuar në FFK ishte e jashtëligjshme.

“Këtu e kam ligjin e federatës sonë në lidhje me kontratat. Kontratat nuk lejohen të bëhen më të shkurtra se sa është kampionati apo sezoni. Ti datën e shkruan sa të duash, por kontrata vlen sa të zgjasë sezoni”, dëgjohet Abazi duke i thënë Kamaras në audio-incizim.

Abazi dhe drejtori i klubit Betim Isufi dëgjohen duke u munduar ta bindin Kamaran të luajë për Ferizajn edhe pa kontratë në ndeshjen kundër Dukagjinit, një duel i drejtpërdrejt për mbijetesë, më 26 nëntor, plot gjashtë ditë pasi atij i kishte mbaruar marrëveshja.

Abazi: “Ky është ligji që këtë e detyrën të qëndrojë deri në fund të sezonit. Edhe me FIFA është kështu. Nuk mund të bësh kontratë më kohëzgjatje me të shkurtër se sezoni. Betimi ka gabuar. Ka bërë gabim teknik. Unë nuk jam budalla të bëj kontratë më të shkurtër se sa që zgjat sezoni. Nuk ka kuptim.”

Madje, Isufi lë të nënkuptohet në audio-incizim se ai nuk e ka telashe të dërgojë çfarëdo kontrate në federatë, për shkak të marrëdhënieve me presidentin e saj Agim Ademi.

Listen to "“Nuk jam budalla të lëshoj kontratë veç për 2 muaj” – FFK lejon kontratat e jashtëligjshme në Superligë" on Spreaker.

Isufi: “Ne mund ta negociojmë këtë për një javë. Nga ana e federatës sonë, unë e rregulloj këtë problem. Nuk është puna jote. Vetëm qëndroni këtu. Është gabim teknik, është gabimi im.”

Kamara: “Jo, nuk dua të përzihem në gjëra të tilla.”

Kamara: “Kur biseduam me Stefanin (menaxherin tim) ishte nga 6 tetori deri më 20 nëntor (2022). Ju e keni kontratën time. Natyrisht se do të luaja dhe do të jepja 100 për qind nga vetja. Si mund ta negociojmë një javë.”

Isufi: Ai mund të jetë gabim teknik. Nuk bën të na lësh keq neve. Për dy muaj të kemi marrë. Edhe një lojë e kemi.

Kamara dhe Manga kanë luajtur për Ferizajn në Superligë me kontrata të jashtëligjshme.

Kamara, ish-përfaqësues i Gambisë, i zhvilloi shtatë ndeshje për Ferizajn dhe u largua në mënyrën më të keqe të mundshme kah fundi i nëntorit.

Për shkak të kësaj kontrate, Kamara ishte fyer në baza racore nga Abazi.

“Ti nuk je njeri i mirë. Ti je djalë i keq, mashtrues je. Ti nuk je mysliman. Ec, hajde. Hajde në p*dh të nanës. Nesër banesën me lëshu. Nuk të lejoj më në banesë. Shko në Francë lypi paratë prej Francës. As biletën e aeroplanit nuk ia paguaj”, e kishte fyer Abazi Kamaran.

“Pesë ditë ti problem mua a? Në p*dh të nanës, hajde ec. Në p*dh të nanës shko, majmun”.

Lajme të ngjashme