“Nuk ishte lëndim serioz”, nga klubi i Drenicës flasin për gjendjen e Gjokajt, thonë që s’ka qenë pa vetëdije
Portieri i talentuar kosovar Altin Gjokaj është në gjendje të mirë shëndetësore dhe që nuk ishte pa vetëdije për katër orë pavarësisht raportimeve, kështu tha për Gazetën Nacionale presidentja e klubit Mihane Bekteshi.
Sidoqoftë, për Nacionalen, presidentja e klubit Bekteshi ka treguar se gjendje e ‘gardianit’ është mjaftë e mirë.
“Po sapo bisedova me Altinin dhe fatmirësisht është në gjendje të mirë. Lëndimi s’ka qenë aq serioz, por pasi u lëndua mjeku i skuadrës e ka parë më të arsyeshme që të dërgohet në spital. Bisedova me të dhe pastaj edhe me Altinin, i cili ma konfirmoi që është në gjendje të mirë. I kanë bërë me CD-ja e të gjitha”.

E pyetur nëse ka qenë portieri pa vetëdije për katër orë, ajo e mohoi menjëherë duke thënë se i kanë zmadhuar gjërat.
“Pa vetëdije për katër orë? Jo nuk është aspak e vërtetë. Po i zmadhojnë senet, nuk është e vërtetë që ka qenë pa vetëdije për katër orë. Tani Altini është në shtëpi pasi i kreu të gjitha testet mjekësore”.
Përndryshe, Gjokaj këtë edicion ka qenë portieri kryesor i Drenicës pavarësisht moshës së re dhe shpesh herë ka mahnitur të gjithë me paraqitje fantastike.