Ish-trajneri i Barcelonës për kohën e pakëndshme në Camp Nou: Nuk flas për Leo Messin - NACIONALE

Ish-trajneri i Barcelonës për kohën e pakëndshme në Camp Nou: Nuk flas për Leo Messin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-trajneri i Barcelonës, Quique Setien, ka thënë se nuk parapëlqen të flasë për Lionel Messin dhe e ka cilësuar si të parehatshme periudhën në krye të skuadrës katalonase.

Setien e kishte një marrëdhënie të koklavitur me Messin gjatë tetë muajve si trajner i Barcelonës. Ai u shkarkua menjëherë pasi Bayern Munich e turpëroi Barçën duke e mundur 8:2 në Ligën e Kampionëve.

Dy vite pas largimit nga Camp Nou, 63-vjeçari ka folur për kohën e vështirë në Camp Nou në një emision të quajtur “Raporti Setien”, i cili do të shfaqet në Movistar Plus+.

Megjithatë, ai nuk ka dashur të flasë assesi për marrëdhëniet e tensionuara mes tij dhe Messit.

Setien ishte shumë i shkurtër dhe i drejtpërdrejt kur u pyet per Messin, duke thënë: “Ka disa situata që janë të parehatshme. Unë nuk parapëlqej të flas për Messin”.

Por Eder Sarabia, i cili ishte ndihmëstrajner i Setienit në Barçë, foli për vështirësitë që kishin pasur me Messin: “Në fillim pata marrëdhënie shumë të mira me të, është e vërtetë që pastaj u përkeqësuan pak, për shkak të rezultateve dhe situatës në klub, që nuk ishte më e mira. Mendoj se ai nuk ishte tamam i lumtur. Prandaj edhe u largua nga Barcelona”.

Messi u largua nga Barcelona një vit më vonë, në verën e vitit 2021, duke iu bashkuar Paris Saint-Germainit.

Në sezonin e parë në Paris, Messi pati vështirësi të përshtatej me jetën e re larg La Ligës, por e fitoi titullin në Ligue 1, edhe pse në Ligën e Kampionëve PSG-ja dështoi duke u mundur nga Real Madridi në rrethin e 16 më të mirëve.

Por 35-vjeçari e ka rigjetur formën e vjetër në sezonin e ri 2022/23, duke i shënuar gjashtë gola dhe duke i dhuruar tetë asiste në të gjitha garat deri tani.

Ai do të jetë në aksion me Kombëtaren e Argjentinës në fund të këtij muaji në dy ndeshje miqësore kundër Hondurasit më 24 shtator dhe kundër Xhamajkës më 28 shtator.

Lajme të ngjashme