Novak Djokovici e merr vizën australiane, pritet të luajë në Australian Open 2023 - NACIONALE

Novak Djokovici e merr vizën australiane, pritet të luajë në Australian Open 2023

1 vit më parë

nga NACIONALE

Novak Djokovicit do t’i lëshohet viza nga qeveria australiane për të marrë pjesë në grand slamin Australian Open 2023.

Tenisti serb ishte paraburgosur në janar për shkak të refuzimit për t’u vaksinuar kundër Covidit. Ai ishte dëbuar nga Australia 10 ditë më vonë dhe i ishte ndaluar hyrja në vend për tri vite.

Shpesh i cilësuar si “Kështjella Australiane” ky vend kishte ligjet më të ashpra kundër pandemisë në botë.

Kur Djokovici mbërriti në Australi në janar, rastet me Covid po rriteshin me shpejtësi të frikshëm, prandaj qeveria vendosi që kushdo që do ta vizitonte Australinë duhet të ishte i vaksinuar, përveç nëse posedonte përjashtim të vlefshëm mjekësor.

Djokovici nuk i plotësoi kushtet për t’u futur në Australi, prandaj viza e tij u anulua dhe atij iu ndalua të futej në Australi për tri vitet e ardhshme si pasojë.

Por ministri i Emigrimit i Australisë - Andrew Giles, qeveria e të cilit erdhi në pushtet në maj - do t’ia japë vizën tenistit serb, duke ia hequr ndalesën trivjeçare për hyrje në Australi, sipas BBC dhe The Guardian.

Duke folur të martën, shefi i Tenis Australia, Craig Tiley, tha se ka besim të madh se Djokovici do të luajë në Australian Open 2023 në janar.

E di që Djokovici dëshiron të vijë dhe të luajë këtu. Ai e dashuron Australinë dhe këtu e ka pasur suksesin më të madh”, shtoi ai.

Djokovici ishte dërguar në një qendër famëkeqe paraburgimi për emigrantë, ku kishte qëndruar derisa po e sfidonte në gjykatë vendimin e qeverisë australiane.

Gjykata e kishte shfuqizuar vendimin e qeverisë për t’ia anuluar vizën atij, por më vonë, ministri i atëhershëm i Emigrimit, Alex Hawke, e kishte përdorur pushtetin e tij të veçantë për t’ia anuluar vizën përsëri, duke argumentuar se “ishte në interes të publikut” për ta bërë një gjë të tillë.

Australianët e mbështetën fuqishëm këtë vendim, për shkak të qëndrimit të tenistit serb rreth vaksinës së Covidit, të cilën ka thënë se kurrë nuk do ta merrte.

Lajme të ngjashme