Nisin ndryshimet te Man City: Shtatë futbollistë pritet të largohen, përfshirë Walker e Gundogan
Pasi fituan tripletën, Manchester City mund të përballet me një ndryshim të madh brenda skuadrës.
Trajneri Pep Guardiola me një sistem të ri 3-2-4-1 i dha fund pritjes për trofeun e Ligës së Kampionëve, pas fitores 1:0 ndaj Interit në finale.
Sidoqoftë, ky formacion i teknikut spanjoll ka bërë ndryshime të mëdha meqenëse një numër i lojtarëve që ishin titullar u lanë në stol, kësisoj e ardhmja e tyre tani është në dyshime.
I pari ndër ta është mbrojtësi i krahut Kyle Walker, i cili tani po kërkohet me ngulm nga klubi i fëmijërisë Sheffield Unitedi. Kontrata e anglezit skadon në verë dhe pritet të jetë ndër largimet e para.
Bernardo Silva gjithashtu është i lidhur me një kalim te Paris Saint-Germain, ku vlerësohet si pasuesi adekuat i Lionel Messit. Derisa festonin Jack Grealish u pa duke e lutur portugezin që të mos largohet nga “Etihad Stadium”.
Tashmë e disa muaj ka spekulime lidhur me Ilkay Gundogan, i cili më shumë gjasë do të zgjedhë ndërmjet Barcelonës apo edhe Arsenalit.
Të dy skuadrat i kanë bërë propozim turku-gjermanit, i cili e ka bërë prioritet një aventurë të re para rinovimit me kampionin e Anglisë.
Përpos këtyre dy mesfushorëve, edhe e ardhmja e Kalvin Phillips është në dyshime. Për dallim nga të tjerët, anglezi nuk është që ka dëshmuar kualitetin andaj mund të provojë një aventurë të re.
Man City mund të ketë ndryshime edhe në aspektin defansiv me spanjollin Aymeric Laporte që po ëndërron një kalim te Barcelona dhe duket se ka vendosur të largohet.
Barcelona është duke punuar që të rregullojë gjendjen financiare andaj diskutimet që sa kohë kanë ngecur, sidomos pasi prioritet është zëvendësuesi i Sergio Busquetsit.
Për fund, futbollisti tjetër që mund të befasojë me një largim është Riyad Mahrez, i cili është i hapur për një kalim në Arabinë Saudite.
Klubet arabe i kanë bërë një ofertë të lartë ekonomike algjerianit dhe janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e Cityt pavarësisht sa e vlerësojnë kartonin e anësorit.
Duke marrë parasysh tërë këto largime, Man City tani ka nisur të jetë aktive në afatin e verës pasi i kanë vënë syrin mesfushorit të West Hamit, Declan Rice, që është dëshira e madhe e Arsenalit.