Neymari shkon të luajë poker, një ditë pas humbjes së PSG-së në Ligën e Kampionëve
Neymari është parë duke luajtur poker në Paris të mërkurën, një ditë pasi skuadra e tij Paris Saint-Germaini u mposht 1:0 nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.
Ylli brazilian, i cili është ambasador i PokerStars, e harroi shpejt paraqitjen zhgënjyese që pati kundër kampionit gjerman në garën më prestigjioze evropiane për klube, duke marrë pjesë në një turne pokeri 24 orë më vonë.
Në Hyatt Regency, një hotel luksoz në Paris, Neymari u eliminua shpejt nga EPT Paris, një garë e famshme pokeri, sipas gazetës së përditshme franceze L’Equipe.
Në mbrëmjen e njëjtë, ai nuk mbaroi me kaq, por shkoi në një turne tjetër prestigjioz për të luajtur, Mystery Bounty, në të cilin hyrja kushtonte 10 mijë euro.
Në këtë turne, sulmuesi 31-vjeçar ia doli të kualifikohej për rrethin e dytë, duke e mbaruar garën në vendin e 30-të nga 45 lojtarë pjesëmarrës.
Paraqitje për t’u harruar nga Neymar kundër Bayernit
Gazeta më e madhe e sportit në Francë, L’Equipe, i gozhdoi yjet e Paris Saint-Germainit, në veçanti Lionel Messin dhe Neymarin, në vlerësimin e ndeshjes së tyre të humbur kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.
PSG-ja e nisi ndeshjen me dyshen Messi dhe Neymar në sulm, të cilët dështuan të kenë çfarëdo ndikimi në ndeshje dhe rezultat përfundimtar në Parkun e Princave.
Si pasojë, L’Equipe i vlerësoi argjentinasin dhe brazilianin me notën 3 nga 10.
Messi, i cili vazhdoi të vendosej mbrapa në mesin e fushës, në mënyrë që të përfshihej më shumë në lojë, u kritikua nga e përditshmja franceze se pati ndikim minimal në lojë, derisa Mbappe u fut në fushë nga stoli në pjesën e dytë.
Neymari, ndërkohë, u gozhdua për mungesën e efikasitetit me top dhe për vendimet që merrte me topin në sulm.
PSG-ja e mbylli ndeshjen me nëntë goditje më pak se Bayerni në drejtimin e portës, si dhe me mbajtje më të vogël të topit se kundërshtari.
PSG-ja do të udhëtojë drejt Munihut për t’u përballur me Bayernin në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.
Kjo ishte disfata e tretë radhazi i PSG-së në të gjitha garat dhe ia rrezikon seriozisht shanset për ta fituar titullin në Ligën e Kampionëve për herë të parë.
Po ashtu, kjo ishte disfata e pestë në 11 ndeshje në të gjitha garat në vitin 2023 për PSG-në, që është më shumë se tërë vitin 2022 (4 humbje në 46 ndeshje).

