Neymar: Kalimi i Messit në Inter Miami do ta ‘ndryshojë lojën’ në MLS
Ylli i Paris Saint-Germain, Neymar, thotë se transferimi i Lionel Messit te Inter Miami do ta ndryshojë lojën në Major League Soccer.
Javën e kaluar, Messi njoftoi për vendimin e tij për t’iu bashkuar Inter Miamit, me kontratën që i mbaron në fund të këtij muaji me PSG-në.
"Jam i sigurt se Leo do të ndryshojë ligën në Shtetet e Bashkuara," tha Neymar. "Unë besoj se liga do të bëhet shumë më popullore. Kështu që të gjithë duhet të përfitojnë dhe të kënaqen duke e parë atë duke luajtur sepse fatkeqësisht asgjë nuk zgjat përgjithmonë."
Messi kishte oferta për t'u rikthyer në ish-klubin e tij, Barcelona apo mund të kishte kaluar në klubin e Arabisë Saudite Al Hilal, por ai përfundimisht vendosi të bashkohej me Inter Miami - ekipi i MLS-së në bashkëpronësi të David Beckham.

Neymar, i cili ka luajtur me Messin si te Barca ashtu edhe te PSG, ka emocione të përziera për vendimin e Messit, i cili premton të jetë nënshkrimi më i madh në historinë 27-vjeçare të MLS.
“Jam i trishtuar dhe i lumtur në të njëjtën kohë”, tha sulmuesi brazilian. "Unë e dija tashmë. Messi është një nga miqtë e mi më të mirë, një dhuratë që më ka dhënë futbolli. Pata mundësinë ta njoh, të luaj me të dhe më pas të ndërtoj një miqësi të bukur. Pra, e dija që ai doja të vinte këtu [Miami], dhe ne folëm për këtë. I thashë se do të ishte shumë i lumtur në qytet, për shkak të stilit të jetës, mundësisë për të jetuar dhe për të luajtur këtu në Miami."
Neymar ka mbështetur Miami Heat gjatë finaleve të NBA-së. Të premten, ai ishte në turmë në palestrën Kaseya dhe u shoqërua nga shoku i skuadrës së Brazilit dhe sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior, ndërsa Miami Heat u përball me Denver Nuggets në ndeshjen katërt.

