Newcastle United vazhdon rrugëtimin fantastik, i jep leksion Leicesterit dhe merr pozitën e dytë në tabelë
Newcastle United vazhdon të jetë befasia në Premierligë, ku në ndeshjen e parë pas pushimit të Kupës së Botës triumfuan ndaj Leicester Cityt.
Newcastle triumfoi bindshëm ndaj Leicesterit me rezultat 0:3, sfidë që e dominuan në të gjitha aspektet dhe me plot meritë iu takuan pikët e plota.
Kaluan vetëm tre minuta lojë kur mysafirët kaluan në epërsi përmes qendërsulmuesit Chris Wood, i cili shënoi nga pika e bardhë pasi Amartey bëri një ndërhyrje të tmerrshme brenda zonës.
Ndërsa, vetëm katër minuta më vonë Miguel Almiron pasi pranoi një top fantastik nga Bruno Guimares në mënyrë fantastike e finalizoi për rezultatin 0:2 (7').
Dominimi i Newcastle vazhdoi në të gjitha aspektet dhe Joelinton shënoi të tretin duke realizuar me kokë pas një rivendje këndore (32').
Në pjesën e dytë, dy skuadrat angleze kishin raste të shumta por assesi s'ia dolën t'i konkretizojnë.
Leicester u këndell vonë duke rrezikuar përmes Jamie Vardy dhe Kelechi Iheanacho që patën disa raste, por nuk ia dolën të gjejnë rrugën drejtë rrjetës.
Me këtë fitore, Newcastle dëshmon sërish se është mjaft serioze në këtë garë duke u ngritur në pozitën e dytë në tabelë me 33 pikë, katër më pak se lideri Arsenal.
Në anën tjetër, kriza te Leicester vazhdon duke qenë në pozitën e 13-të në tabelë me 17 pikë.
Në xhiron e radhës, Newcastle United do të përballet me Leeds United, derisa Leicester do të jetë mysafir i Liverpoolit.