Napoli deklason Liverpoolin, Tottenham siguron fitore ndaj Marseille
Napoli ka demoluar Liverpoolin, duke e mposhtur me rezultat të thellë 4:1. Fitore shënoi edhe Tottenham, që mposhti Marseillen me rezultat 2:0.
Mbrëmja e datës 7 shtator 2022 do të mbahet mend gjatë nga tifozët e Napolit, për shkak të asaj çfarë demonstruan lojtarët e Napolit, ku i dhanë mësim Liverpoolit nga çdo pikëpamje.
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, në këtë ndeshje luajti titullar për 90 minuta, duke zhvilluar njësoj si të gjithë bashkëlojtarët e tij një paraqitje të nivelit të lartë.
Liverpooli nuk e ka nisur fare mirë sezonin, nëse përjashtojmë finalen e fituar në Superkupën e Anglisë kundër Manchester Cityt një javë para se të niste java e parë e Premierligës. Klopp nuk po ia del assesi ta këndellë skuadrën e vet.
Në anën tjetër, pavarësisht largimeve të shumta që kanë ndodhur te Napoli gjatë verës, me thuajse të gjithë lojtarët që bartnin barrën e lojës dikur që u larguan, skuadra prapëseprapë po ia del të prodhojë jo vetëm futboll të mirë, por edhe rezultate shumë të mira.
Raporti i ndeshjes Napoli 4:1 Liverpool
Napoli e nisi furishëm ndeshjen. Pas pak sekondash që nisi ndeshja, menjëherë ishte Osimhen ai që goditi shtyllën nga këndi i djathtë, pasi Alisson kishte dalë nga porta.
Goli nuk vonoi dhe ai erdhi me plot meritë në minutën e 5-të të ndeshjes. Për shkak të një kontakti me dorë të Milner, gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti në favor të Napolit. I saktë nga pika e bardhë ishte Zielinski.
Sulmet e Napolit nuk kishin të ndalur sado që ishte në epërsi. Ky mentalitet i Napolit u shpagua pas disa minutash. Fillimisht Osimhen siguroi një penalti të radhës për skuadrën, pasi u pengua në zonë të rreptësisë nga Van Dijk. Mirëpo ai nuk ia doli të tregohej i saktë, pasi Alisson në minutën e 18-të të takimit priti goditjen e tij.
Gjithsesi, goli vetëm se u shtye për pak kohë. Ai erdhi në minutën e 31-të të ndeshjes. Gomez po bënte gabime të njëpasnjëshme dhe sulmuesit e Napolit e shfrytëzuan këtë gjë, duke sulmuar shumë nga ana që mbulonte ai. Një seri pasimesh të bukura nga Napoli, me kombinime të shkurtëra, prodhuan golin e dytë, me Zielinskin që asistoi bukur për Anguissa. Ky i fundit nga afërsia nuk gaboi.
Për fatin e keq të tij, Osimhen nuk ia doli ta vazhdojë ndeshjen, pasi ndjeu dhimbje të vazhdueshme në ligamentet e këmbës. Ai doli nga loja në minutën e 41-të, për t'u zëvendësuar nga Simeone.
Sulmuesi argjentinas pas 3 minutash shënoi golin e radhës dhe të tretin për skuadrën e Napolit, pas një kakofonie të radhës që prodhoi dyshja Gomez - Van Dijk, ku kryefjala për ta sonte ishte "pasiguria".
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin avaz. Napoli vazhdoi presionin te porta e Liverpoolit. Sërish ishte Zielinski ai që shënoi në minutën e 47-të, me Alisson që nuk mundi të bënte diç më shumë në këtë rast.
Dy minuta më vonë Luis Diaz iu kundërpërgjigj në distancë, duke shënuar një gol mjaft të bukur nga gjysmë distanca, duke shënuar golin e vetëm për Liverpoolin dhe të nderit.
Në diç më shumë se 40 minuta tjera lojë të rregullta Liverpool u mundua që të rikthehej në lojë, por pa prodhuar thuajse asgjë.
Në anën tjetër, Napoli u kthye në gjysmëfushën e vet, duke kursyer energji, ngase për minuta të tërë kishin qenë mbizotërues jo vetëm me paraqitje dhe rezultat, por edhe me angazhim në fushë.
Me këtë fitore Napoli i bashkohet Ajaxit në krye të tabelës, duke shkuar në kuotën e 3 pikëve. Liverpool dhe Rangers duhet të pajtohen me 0 pikë tani për tani.

Skuadra e Klopp rikthehet në Ligën e Kampionëve javën e ardhshme, kur do të jetë nikoqire e Ajaxi. Ndërsa Napoli do të luajë në udhëtim ndaj Rangers.
Raporti i ndeshjes Tottenham 2:0 Marseille
Tottenham ka arritur një fitore me vlerë të madhe kundër Marsielle, të cilën e mposhti me rezultat 2:0.
Për hir të vërtetës skuadra e Antonio Conte hasi në vështirësi të madh në pjesën e parë, e cila ishte pa shumë emocione, duke përfunduar me rezultat 0:0.
Ishte pjesa e dytë ajo që nisi me një qasje ndryshe. Edhe Tottenham u tregua më kërkues. Nëse në 45 minutat e para Marseille kishte më shumë qarkullim të topit, në pjesën e dytë nuk ishte më e njëjta situatë. Në çdo komponentë të lojës mbizotëroi në fushë skuadra londineze.
Mirëpo tëk në minutën e 76-të u shënua goli i parë, me Richarlison i cili shënoi me kokë, duke konkretizuar mjaft mirë harkimin e pranuar nga Perisic.
Sulmuesi brazilian qetësoi akoma më shumë Conten në minutën e 81-të, ku sërish me kokë gjeti golin e dytë personal dhe të dytin për skuadrën e tij.
Me këtë fitore të pastër prej 2:0 Tottenham shkoi në kuotën e 3 pikëve, duke u renditur në pozitën e dytë, por me pikë të barabarta me Sporting Lisbonen. Gjatë javës së ardhshme pikërisht Sporting Lisbona do të jetë kundërshtarja e radhës e londinezëve në Ligën e Kampionëve.


