“Na mashtruan, kthejeni Sadio Manen” - Tifozët e Liverpoolit të brengosur me huqjet e tmerrshme të Nunezit - NACIONALE

“Na mashtruan, kthejeni Sadio Manen” - Tifozët e Liverpoolit të brengosur me huqjet e tmerrshme të Nunezit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tifozët e Liverpoolit kanë filluar të brengosen për blerjen rekorde të klubit, Darwin Nunez, pas publikimit të një videoje me dështimet e tij pranë portës gjatë stërvitjeve parasezonale.

Të kuqtë janë në Tajlandë duke u përgatitur për sezonin e ri në Premierligë dhe Nunez, i cili i kushtoi klubit 100 milionë euro, iu bashkua skuadrës ditë më parë.

Sulmuesi 23-vjeçar i Uruguait ka për të përmbushur një boshllëk të madh si zëvendësues i Sadio Manes në sulmin e skuadrës së Jurgen Kloppit, pasi senegalezi u largua nga Anfieldi dhe iu bashkua kampionit gjerman Bayern Munich këtë verë.

Ish-sulmuesi i Benficas e goditi një top lart mbi portë nga afërsia, ndërsa dështoi t’i kontrollojë shumë harkime drejtuar tij në zonë gjatë stërvitjeve në prag të miqësores me Manchester Unitedin.

Ai e përsëriti një dështimin para portës edhe në miqësoren e djeshme, të cilën të kuqtë e humbën 4:0 ndaj rivalit nga Mançesteri, duke gjuajtur mbi portën boshe nga afërsia.

Është shumë herët të gjykohet Nunez, duke qenë se ai i shënoi 34 gola në 41 ndeshje për Benfican sezonin e kaluar, duke u renditur si njëri prej golashënuesve më të mirë në Evropë.

Sidoqoftë, disa tifozë të Liverpoolit janë të brengosur për sulmuesin e tyre të ri dhe kanë zgjedhur rrjetet sociale për t’i shprehur shqetësimet, veçanërisht duke qenë se Sadio Mane dhe Divock Origi janë larguar nga klubi.

“Na mashtruan”, shkroi një tifoz i të kuqve në Twitter.

“Fatmirësisht e kemi Jotan”, shkroi një tjetër.

“Kthejeni Manen”, bëri thirrje një tjetër.

Një tifoz tjetër parashikoi se Nunez mund të jetë Andy Carroll i radhës për Liverpoolin. Ish-sulmuesi anglez i ishte bashkuar të kuqve nga Newcastle Unitedi për 45 milionë euro në vitin 2011.

Carroll i shënoi vetëm gjashtë gola në 44 ndeshje gjatë kohës së tij në Anfield, para se të dërgohej në huazim te West Hami.

Përfundimisht, ai nënshkroi me çekanët për rreth 18 milionë euro në vitin 2013, pas dy viteve dështimi në Liverpool.

Lajme të ngjashme