Muslija ekzaltohet ndaj ish-skuadrës së tij, tërbon çdokë që i del para vetes - NACIONALE

Muslija ekzaltohet ndaj ish-skuadrës së tij, tërbon çdokë që i del para vetes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjersa rishikova në reprizë ndeshjen e Paderborn përballë Hannover që u zhvillua para dy ditësh [e diel, 24 prill], në mënyrë për t'u koncentruar në detajet e paraqitjes së Muslijës, isha tepër mosdurues ta filloja këtë analizë për të. Kjo sepse ai ishte i pandalshëm, i papërmbajtshëm dhe një stuhi e vërtetë për mbrojtjen e ish-skuadrës së tij. Madje, njërin nga ta njëmend e bëri të dukej keq, sepse doli huq në çdo përpjekje për ta markuar lojtarin dardan. Më i motivuar se asnjëherë më parë, Muslija defreu publikun vendas në stadium, por edhe mua teksa e shikova paraqitjen e tij në hollësi. Padyshim që ai ishte lojtari më i spikatur dardan i javës.

Nëse jemi të sinqertë, në letër për Paderborn nuk llogaritej një ndeshje me shumë rëndësi të madhe ajo ndaj Hannover, për shkak të pozitës së rehatshme tabelare në të cilën gjendet, pa rrezikuar mbijetesën apo pa pasur gjasa që të ketë ambicie për një vend që shpie në ngjitjen drejt Bundesliga I.

Sido që të jetë, një gjë e tillë nuk vlente edhe për lojtarin e Kombëtares së Kosovës, Florent Muslija. Ai kishte akoma disa llogari të hapura ndaj Hannover, pjesë e të cilit klub ka qenë për tri vjet e gjysmë. Pavarësisht kohës së kaluar aty, periudha e fundit para se të largohej, gjegjësisht ajo e vjeshtës së vitit të kaluar, e ka hidhëruar jo pak atë.

Kjo u vu re edhe gjatë ndeshjes. Mbase, mu në fillim të saj. Ndeshjen e filloi me intensitet të lartë. Në minutën e 13-të, ai shmangi në hap mbrojtësin Walbrecht, duke dhënë shenjën e parë e ferrit të vërtetë që do ta priste mbrojtësin gjerman.

Florenti që ishte në disponim për lojë u pa edhe pas një minuti, kur prapë nuk e kurseu me driblim Walbrechtin, duke ia bërë jetën e vështirë. U nevojit një ndërhyrje e ashpër zhagas e mesfushorit defanziv, Dominik Kaiser, për ta ndalur atë.

Muslija vazhdoi paraqitjen e tij me të njëjtin hov. Kërkesa me ngulm drejt bashkëlojtarëve të tij për ta shërbyer me top, ishte impresionuese. Këmbëngulësia e tij u dëmshpërblye në rastin e golit të shënuar në minutën e 17-të, kur ai u tregua i pamëshirshëm duke zhagitur përtokë ish-bashkëlojtarin e tij, mbrojtësin 20-vjeç gjerman të krahut të djathtë, Tim Walbrecht, për t'u afruar në drejtim të portës, duke shënuar më pastaj golin që çoi shifrat në 2:0. Ai festoi si i marrë, pa e kursyer veten siç bëjnë disa lojtarë kur shënojnë ndaj ish-skuadrave ku kanë luajtur.

Ky ishte goli i 6-të i shënuar në këtë edicion të sivjem të Bundesliga II nga 23-vjeçari kosovar. Përveç tjerash ai ka kontribuar edhe me 2 asiste tjera në këtë sezon. Qëkur është bërë pjesë e ekipit të ri, ai ka shënuar 4 gola dhe është treguar vendimtar disa herë.

Paraqitja dehëse e Musliljës vazhdoi. Ai menjëherë pas shënimit të golit u tregua si uragan i vërtetë, duke dribluar për herë të katërt brenda 6 minutash kundërshtarin e tij, Walbricht. Ishte një rrokullisje spektakolare, ku me pjesën e jashtme të atleteve të këmbës së djathtë, shtyu topin përpara, duke e lënë të hutuar mbrojtësin gjerman.

Thënë të vërtetën, kam parë shumë ndeshje, por nuk më ka rastisur shumë shpesh një paraqitje të tillë teknike kaq superiore në një hark të shkurtër, për ta demoluar në lojën një kundër një kundërshtarin që markon.

Dukej që Florent Muslija i njihte mjaft mirë dobësitë e Hannover, meqë pikë referimi e kishte ta sulmonte me driblime Walbrechtin, i cili në këtë ndeshje luante në pozitën e qendërmbrojtësit të djathtë dhe jo në qendër siç e ka pikën e tij të fortë, meqë diçka të tillë e kishte treguar edhe ndaj Schalkes më herët. Pikërisht për këtë arsye, Muslija nuk e ndali presionin ndaj tij, duke e ditur që në mbulim një kundër një nuk është i shkathtë, sa është në zhdërvjelltësinë për të qenë sa më pozicional si qendërmbrojtës.

Një tërbim të tillë që u shkaktoi Muslija mbrojtjes dhe lojtarëve të Hannover, provokoi një kor vetironik nga tifozëria mysafire që kishin udhëtuar rreth 2000 veta në rajonin e Nordrhein-Westfalen. Ata në minutën e 20-të u dëgjuan duke kënduar: "po udhëtojmë larg, po udhëtojmë shumë. Dhe, në fund, po humbasim çdo ndeshje".

Loja e hapur nga të dy skuadrat bënte që reprezentuesi dardan të kishte hapësirë që të sulmonte lirshëm zonën kundërshtare. Sidoqoftë, pas minutës së 30-të, Paderborn filloi të lëshonte terren, duke u tërhequr mbrapa meqë vëmendjen parësore e kishin te menaxhimi i epërsisë me kapital prej dy golave. Atë ia dolën në formën më të përsosur të mundur, duke shkuar në pushim të pjesës së parë me atë rezultat.

Në pjesëlojën e parë Walbricht nuk kishte gjetur asnjë metodë për ta ndalur Muslijën. Kjo bëri që trajneri i Hannover, Dabrowski, ta zëvendësonte që në fillim të pjesë së dytë, duke kaluar në vendosje të mbrojtjes me 4.

Florent Muslija në pjesën e dytë filloi të dyfishohej dhe Hannover, përveç që kaloi në mbrojtje me 4, aplikoi edhe markim zonal dhe jo një kundër një sikurse në 45 minutëshin e parë. Kjo bëri që Paderborn të luante më shumë me pasime horizontale tokazi. Muslija u përpoq të tregohej i rrezikshëm në minutën e 55-të të takimit, kur me ta pranuar topin jashtë zonës, vazhdoi të lëvizte përpara brenda 16 metërshit, nga ku edhe provoi një goditje me këmbën e majtë, por topi përfundoi jashtë shtyllës së djathtë të portës së Hannover.

Në minutat në vijim Muslija u pa edhe në përkrahje të mesfushorit Klement, duke u tërhequr mbrapa, për ta ndihmuar skuadrën në qarkullimin sa më të rrjedhshëm të topit.

23-vjeçari kosovar u largua nga loja në minutën e 87-të mes shumë ovacioneve të publikut vendas. Pak minuta më vonë ishte Ofori, lojtari që e zëvendësoi Muslijën, i cili rrumbullaksoi rezultatin 3:0, duke shënuar golin që vulosi fitoren e skuadrës nga qyteti i vogël verior gjerman.

Hakmarrja ndaj trajnerit Christoph Dabrowski

Florent Muslija e shijoi në maksimum paraqitjen ndaj ish-skuadrës së tij edhe për faktin që nuk ka qenë aspak i kënaqur se si është trajtuar nga trajneri Christoph Dabrowski. Ai më 1 janar të këtij viti kishte zhviluar një bisedë sy për sy me Muslijën, ku detajet i kishte bërë publike.

"Kam biseduar disa herë me të [Florent Muslijën]. Kemi pasur një bisedë tejet të gjatë të premten [duke iu referuar datës 1 janar, 2022]. Bëhet fjalë për një futbollist të mirë, i cili ka prekur majat dhe rënien e formës këtu", deklaronte trajneri Dabrowski, duke aluduar se tashmë Muslija ishte jashtë formës dhe nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë integrale e skuadrës.

Një gjë e tillë sforcoi më vonë kalimin te Paderborn. Megjithatë, lojtari dardan e përgenjështroi përmes një paraqitjeje brilante para syve të tij.

Trajneri i Paderborn bën thirrje të tregohet kujdes ndaj Muslijës


Tajneri Lukas Kwasniok në përfundim të ndeshjes u mundua të tregohej i matur në komentet e tij për paraqitjen e Florentit.

"Kam parë Florentin prej disa ditësh që ka qenë i motivuar të luajë ndaj ish-skuadrës së tij. Kjo është normale. Mirëpo, nuk duhet të bëjmë gabim që ta lavdërojmë shumë publikisht. Nuk i bën mirë. Preferoj që një gjë të tillë preferoj ta bëj në zhveshtore", deklaroi trajneri i Paderborn.

Assesi nuk duhet ta harrojmë faktin që Florent Muslija nuk ka përtuar aspak t'i bashkohet Paderbornit për shkak se aty gjeti trajnerin Kwasniok, i cili e njeh më mirë sesa çdo njeri tjetër, meqë ishte mu ai që e zhvilloi dhe formësoi atë si lojtar gjatë kohës kur ishte kadet në Kaslruhe.

Shtypi gjerman e duartroket paraqitjen e tij

Hapësirat e shtypit gjerman zuren vend edhe për Florent Muslijën. Ishte hapësirë meritore. Nga Bild, deri te Kicker, Der Spiegel e tutje, e panë si lojtarin me paraqitje superiore në ndeshjen përballë Hannover.

Nota mesatare për të ishte 2,5, që në shkallën e vlerësimit në Gjermani nënkupton një notë të lartë, e cila nëse përkthehet në shqip do të mund të vlerësohej e shkëlqyer.

Disa prej tyre vënin edhe theksin te çudia sesi Hannover nuk di t'i mbajë afër vetes disa lojtarë, duke i gjykuar të padobishëm, por si ta bëjnë një lëvizje drejt një skuadreje tjetër, ringjallen - sikur në rasdtin e lojtarit kosovar.

Skuadra nga Nordrhein-Westfalen, Paderborn, renditet në pozitën e 7-të me 47 pikë të grumbulluara, ndërsa Hannover ka rreshqitur në pozitën e 15-të me 30 pikë, me 6 pikë distancë nga zona e barazhit.

Deri në fund të kampionatit mungojnë edhe tri ndeshje. Florent Muslija do të vazhdojë të qendrojë te Paderbon, gjithmonë në Bundesliga II, pasi nuk kanë gjasa matematikore që të synojnë diçka më shumë në këto ndeshje të mbetura.

Lajme të ngjashme