Mungon himni i Kosovës në palestrën e Vëllaznimit një javë pasi u fishkëllye, por Bashkimi përkujdeset që flamuri të mos mungojë - NACIONALE

Mungon himni i Kosovës në palestrën e Vëllaznimit një javë pasi u fishkëllye, por Bashkimi përkujdeset që flamuri të mos mungojë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Himni i Kosovës ka munguar në sfidën e sotme që është duke u zhvilluar mes Vëllaznimit dhe Bashkimit.

Pavarësisht që në fillimin e ndeshjeve në Superligën e Kosovës dëgjohet himni i Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur sot, një javë pasi Vëllaznimi fishkëlleu himnin e pastaj edhe kënduan atë të Shqipërisë.

Sidoqoftë, ky aspekti i fundit nuk është se ka ndryshuar. Tifozët e Vëllaznimit në tribuna shfaqën flamurin “kuq e zi”, duke mos pasur as edhe një flamur të Kosovës afër e pastaj edhe nisën këngët.

Mirëpo, në anën tjetër, kundërshtari i tyre, Bashkimi, është përkujdesur që flamuri i Kosovës të mos mungojë duke qenë në fanellat e tyre.

Nuk lëshohet himni shkaku i incidentit të fundit

Kjo është hera e parë në këtë edicion që para se të nisin ndeshjet të mos dëgjohet himni i Kosovës.

Kjo padyshim për arsye se javën e kaluar ndodhi incidenti, ku tifozët e Vëllaznisë e fishkëllyen himnin e Kosovës e jo vetëm kaq, por filluan ta këndonin atë të Shqipërisë.

Sidoqoftë, edhe pas këtij veprimi skandaloz, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), i gjobiti me një vlerë jo të lartë.

Kryetari i Komisionit të Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës, Leart Hoxha, për Gazetën Nacionale para tre ditëve theksoi: "400 euro janë dënuar për anim dhe sjellje josportive".

FBK ndaloi udhëtimet e tifozëve mysafirë

Sidoqoftë, të enjten FBK mori një tjetër vendim duke mos lejuar udhëtimin e tifozëve mysafirë.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu theksoi se deri në fundin e sezonit nuk do të lejohen tifozët mysafirë shkaku që t'i evitojnë problemet e mundshme.

Njoftimi nga FBK, thoshte:

“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) konform nenit 23 të Statutit të FBK-së ka marrë vendim që të ndalojë udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23 dhe ky vendim do të vlejë vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës (si Superkupa, Final 8 etj).

Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar të marrë një vendim të tillë, duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen, atëherë Bordi ka vendosur të ndërmarrë masa në këtë drejtim.

Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij.

Në emër të Bordit të FBK-së, Arben FETAHU”, shkruhet në komunikatë.

Lajme të ngjashme