Vëllaznimi gjobitet me 400 euro, por i shpëton dënimit për përqeshjen e himnit të Kosovës - NACIONALE

Vëllaznimi gjobitet me 400 euro, por i shpëton dënimit për përqeshjen e himnit të Kosovës

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Vëllaznimi është gjobitur me 400 euro për anim dhe sjellje josportive të shikuesve, por çuditërisht ka shpëtuar pa u ndëshkuar për përqeshjen e himnit të Kosovës nga tifozët e tij gjatë fitores kundër Trepçës në një ndeshje të Superligës të dielën.

Kryetari i Komisionit të Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës, Leart Hoxha, konfirmoi për Gazetën Nacionale se klubi gjakovar u gjobit për "anim dhe sjellje jo sportive e shikuesve ndaj gjyqtarëve, lojtarëve dhe personave zyrtarë”, sipas nenit 49.7 të Rregullores së Garave.

“400 euro janë dënuar për anim dhe sjellje josportive”, tha Hoxha.

Klubi gjakovar, i cili u promovua në elitën e basketbollit kosovar para dy viteve, e mundi Trepçën, njërin prej gjigantëve të basketbollit në vend, 75:72, në një ndeshje dramatike.

Por triumfi i madh i Vëllaznimit u prish ende pa filluar përballja nga tifozët vendas në Gjakovë, të cilët e shpërfillën plotësisht himnin e vet shtetëror për himnin e një shteti tjetër.

I pyetur rreth incidentit me himnin e Kosovës dhe flamurin serb, Hoxha theksoi: “As në raport të vëzhguesit, as në raportin 24 orësh të policisë nuk përmendet specifkisht që ka qenë flamur i Serbisë. Nëse ka elemente penale merren organe tjera, ne zbatojmë Propozicionet e Garave dhe Rregulloren e Garave”.

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person për djegien e flamur serb në një hetim të vazhdueshëm ndaj incidentit në Gjakovë.

Tifozi, identiteti i të cilit s’është bërë i ditur, u arrestua për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Përveç incidentin me flamur, tifozët gjakovarë e fyen edhe himnin shtetëror të Kosovës, duke e shpërfillur plotësisht atë në çastin kur u lëshua në palestër para fillimit të ndeshjes.

Tifozët gjakovarë u dëgjuan duke e fishkëllyer himnin e Kosovës sapo nisi të këndohej, si dhe duke e kënduar atë të Shqipërisë njëkohësisht në mënyrë që ta bënin të padëgjueshëm atë shtetëror.

Himni i Kosovës mbrohet me Kushtetutë dhe përdhosja e tij është e dënueshme me ligj.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, grupi zyrtar i tifozëve të Vëllaznimit “Kuqezinjtë e Jakovës”, e kundërshtuan arrestimin e pjesëtarëve të vet dhe i kritikuan mediat vendore për raportimin e incidentit të shkaktuar nga ta.

Vëllaznimi do të luajë sërish në palestrën e vet "Adem Jashari" në Gjakovë në xhiron e ardhshme kundër Bashkimit të shtunën në mbrëmje.

Ata morën përgjegjësi për incidentin dhe u zotuan se do ta përsërisin.

“Komunikatë për mediat serbe të instaluara në Kosovën e Shqipërisë. Këtë komunikatë po e nisim me një urim, urime ia dolët ti gëzoni zagarët tuaj, policia ndërmori masa, dhe po arreston djemtë e Kuqezinjve. Po ua bëjmë me dije, hapni burgje, se do kallim çdo ndeshje flamurat e tyre, neve na u kallen shtëpitë, familjarët, e zemrat tona, askush nuk hetoj asgjë.Ishim prezent në të gjitha lufterat, në të gjitha frontet, ne jemi bijt e dëshmorëve, e luftëtarëve të qytetit ton, ne ua kemi borgj tua mbrojm nderin”, thuhet në reagimin e grupit të tifozëve.

Lajme të ngjashme