Pamje: Tifozët e Vëllaznimit e fishkëllejnë himnin e Kosovës, e këndojnë atë të Shqipërisë njëkohësisht para ndeshjes me Trepçën
Tifozët e Vëllaznimit janë dëgjuar duke e fishkëllyer himnin shtetëror të Kosovës dhe duke e kënduar zëshëm atë Shqipërisë në të njëjtën kohë kur po këndohej ai i Kosovës në një palestër të stërmbushur në Gjakovë, para një ndeshjeje basketbolli të dielën e kaluar.
Klubi gjakovar, i cili u promovua në elitën e basketbollit kosovar para dy viteve, e mundi Trepçën, njërin prej gjigantëve të basketbollit në vend, 75:72, në një ndeshje dramatike.

Por triumfi i madh i Vëllaznimit u prish ende pa filluar përballja nga tifozët vendas në Gjakovë, të cilët e shpërfillën plotësisht himnin e vet shtetëror për himnin e një shteti tjetër.
Para çdo ndeshjeje në Superligën e basketbollit në vend këndohet himni shtetëror i Kosovës, por jo edhe në Gjakovë, më sa duket.
Tifozët gjakovarë u dëgjuan duke e fishkëllyer himnin e Kosovës sapo nisi të këndohej në Palestrën “Adem Jashari”, si dhe duke e kënduar atë të Shqipërisë njëkohësisht në mënyrë që ta bënin të padëshueshëm atë shtetëror.
Fitorja kundër klubit mitrovicas ishte e treta në shtatë ndeshje të këtij sezoni në Superligë për skuadrën e Josip Plantakit.
Burim Zekiqi ishte lojtari më i mirë i Vëllaznimit në këtë fitore të ngushtë, duke shënuar 19 pikë dhe 5 kërcime. Zekiqi u zgjodh edhe MVP i Javës në Superligë falë kësaj paraqitjeje.
Vëllaznimi është tani i pesti në tabelën e Superligës me 10 pikë, aq sa kanë Ponte Prizreni në vendin e katërt dhe Golden Eagle Ylli në vendin e gjashtë.
Peja vijon të jetë lider i padiskutueshëm me pikë maksimale nga shtatë ndeshje, 14, pas shtatë fitoreve radhazi, e ndjekur nga Sigal Prishtina që ka 12 pikë.
Vëllaznimi do të luajë sërish në Gjakovë në ndeshjen e ardhshme, kur e pret Bashkimin në Palestrën “Adem Jashari” për përballjen e xhiros së tetë.