Mourinho shpërthen në ankesa, pasi humbi përsëri kundër klubit që Prishtina e kishte mposhtur në verë
Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka shpërthyer në ankesa dhe kritika pasi dështoi për herë të tretë radhazi ta mposhtur Bodo/Glimtin këtë sezon, një klub norvegjez të cilin Prishtina kishte mundur në kualifikime të Europa Conference League.
Bodo/Glimt e mundi 2:1 Romën në ndeshjen e parë çerekfinale të garës së kategorisë së tretë evropiane, para ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet javën e ardhshme në Itali.
Jo vetëm që e humbi ndeshjen, por Roma e humbi edhe Gianluca Mancinin, i cili e lëndoi gjurin, gjë për të cilën Mourinho e fajësoi fushën artificiale të klubit norvegjez.
Trajneri portugez nuk e kurseu as gjyqtarin, duke i quajtur qesharake disa prej vendimeve të tij në këtë takim.
Duke folur pas ndeshjes, Mourinho nuk u përmbajt: “Dy golat u shënuan nga ndërprerja dhe nga një devijim. Edhe ne shënojmë shumë gola nga ndërprerjet, por ishte një e mirë që e shënuam dhe një e keqe që e pranuam. Goli i parë ishte qesharak.”
“Të jem i sinqertë, gjëja që më brengos më së shumti mua është lëndimi i Mancinit. Është shqetësim, është diçka e shkaktuar nga loja në një fushë më bar plastik”.
Trajneri portugez është i bindur, megjithatë, se skuadra e tij do ta përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit dhe do ta arrijë gjysmëfinalen. “Ne humbëm 2:1, e kemi ndeshjen e kthimit në stadiumin Olimpik përballë tifozëve tanë dhe nuk e kam problem ta them tani se ndiej se ne jemi favoritë për ta arritur gjysmëfinalen”.
Kjo ishte përballja e tretë e Mourinhos me Bodo/Glimt këtë sezon dhe trajneri portugez nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim ndaj norvegjezëve deri tani.

Bodo/Glimt, që në përballjen e parë me Mourinhon kishte triumfuar 6:1, e eliminoi Prishtinën në kualifikime për ta siguruar pjesëmarrjen në këtë garë.
Kampioni i Kosovës e kishte mundur 2:1 Bodo/Glimtin në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues në Prishtinë, por kishte humbur 2:0 në ndeshjen e kthimit në Norvegji.
Bodo/Glimt e eliminoi Prishtinën me rezultat të përgjithshëm 3:2.
