Mourinho: Po të luaja siç bëri Lazio do më vrisnin - NACIONALE

Mourinho: Po të luaja siç bëri Lazio do më vrisnin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Josè Mourinho ka humbur derbin lokal ndaj Lazios gjatë fundjavës me rezultat 0:1, por viktimizimet dhe arsyetimet nuk i ka harruar. Ai pati disa fjalë edhe për mënyrën sesi Lazio interpretoi lojën.

Nuk mjaftuan lëndimet e lojtarëve kryesorë të Lazios siç janë Immobile dhe Savic për të bërë që Roma të mos pësojë disfatë në derbi.

Megjithatë, Mourinho vazhdoi me praktikën e njëjtë, të ankesave dhe hedhjes së fajit për të tjerët, e shumë pak duke u marrë me skuadrën e tij që kishte të gjitha premisat për të luajtur më mirë seç bëri të dielën.

Ai u mor me ata që kritikojnë futbollin e tij, duke thënë se harrojnë që mu ekipet që lavdërohen për futbollin sulmues, kanë shkuar në “Olimpico” dhe kanë nxjerrë pikë duke aplikuar futboll josulmues.

“Atalanta luajti kështu. Për Lazion as mos të flasim, sepse ishte një shembull fantastik. Kanë zbritur në fushë në një mënyrë që po të kish luajtur unë ashtu do më vrisnin. Megjithatë, e rëndësishme është të fitohet”, shtoi ai.

Të njëjtat fjalë Mourinho nuk i kishte edhe për Napolin. Skuadra e Spallettit kishte fituar në “Olimpico” me rezultat 0:1 falë golit të Osimhen. Lideri i Serie A kishte detyruar Romën që të qëndronte në gjysmëfushën e vet me anë të qarkullimit të topit, edhe pse shpesh ai ishte steril.

“Napoli ka bërë një ndeshje tjetër. Ka luajtur mirë duke kërkuar që t’i fitojë tre pikët. Përveç kësaj, është mbrojtur mirë edhe pas golit të pësuar”, nënvizoi ai.

Një numër i konsiderueshëm lojtarësh nuk janë në gatishmëri të Mourinhos, pasi po vuajnë nga lëndime të shumta. Dybala është njëri prej tyre. Argjentinasi ka patur një ndikim të mirë në skuadër prej që është transferuar me parametra zero në ekipin kryeqytetas. Pastaj lojtarë të tjerë si Wijnaldum dhe Spinazzola, thuajse vazhdimisht kanë qenë në infermeri (në rastin e të parit nuk ka mundur ta zhvillojë asnjë ndeshje me ekipin, meqë nga vera po vuan nga një lëndim i rëndë).

Këtë detaj nuk e la pa e cekur edhe Mourinho gjatë konferencës për shtyp: “Ne pa lojtarët kryesorë vuajmë.”

Mbrojtja e Ibanezit

Ibanez ishte fajtori kryesor pse Roma pranoi një gol foshnjarak ndaj Lazios në derbi. Mbrojtësi brazilian humbi topin në 16-metërsh dhe Anderson e ndëshkoi portën e Rui Patricio, duke shënuar gol të lehtë.

Edhe pse Ibanez ishte në qendër të kritikave nga shtypi dhe tifozët e Romës, Mourinho i doli në mbrojtje atij, duke thënë që edhe në mesjavë, në ndeshjen që Roma do ta luajë në udhëtim ndaj Sassuolos, ai do të jetë titullar.

“Asgjë s’ka për të thënë rreth Ibanez. Nesër Ibanez do të jetë në fushë dhe 10 lojtarë tjerë. Duhet t’i jepet respekt atyre që prej ditës së parë që jam unë këtu kanë dhënë gjithçka nga vetja, si në rastin e Ibanez. Përfshirë këtë edhe në situatë të vështirë”, tha ai.

Roma për momentin zë vendin e 6-të në renditjen tabelore me 25 pikë të arkëtuara. Ambicia kryesore e skuadrës për këtë sezon është top katërshja e famshme.

Lajme të ngjashme