Tare i kundërpërgjigjet Mourinhos: Lazio do ta nderojë Ligën e Konferencës
Josè Mourinho të enjtën i lëshoi një kunj Igli Tares duke thënë se Lazio ka të gjitha mundësitë për ta fituar Ligën e Konferencës, por për fat të keq nuk i pëlqen shefit ekzekutiv të saj. Drejtori shqiptar pas dy ditësh i është kundërpërgjigjur trajnerit portugez.
Aromë derbi. Nuk mund të ishte ndryshe. Nesër luhet derbi i zjarrtë lokal mes Romës dhe Lazios dhe për ta ndezur me shumë atë u përkujdes vetë Mourinho, me daljet e tij publike të zakonshme thumbuese, ku talli Lazion dhe shefin ekzekutiv të tij, Igli Taren, rreth rënies në Ligën e Konferencës.
Javë më parë Igli Tare në një kolegj universitar para studentëve kishte deklaruar se Liga e Konferencës është kompeticion i dështakëve. Për këtë arsye edhe Mourinho nuk harroi për ta ngacmuar pasi ekipi lacial nuk ia doli të kualifikohej në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës, për të rënë në Ligën e Konferencës.
“Mendoj se Lazio është shndërruar në ekipin favorit për ta fituar Ligën e Konferencës. Nuk e them me ironi. Problemi i vetëm është se z. Tare nuk dëshiron që ekipi i tij ta fitojë këtë trofe”, deklaroi të enjtën Mourinho pas fitores 3:1 ndaj Ludogorets që ia mundësoi kalimin tutje në Ligën e Evropës, duke nxitur një mal reagimesh.

Kundërpërgjigja e Igli Tares erdhi sot në një intervistë dhënë për “Gazzetta Dello Sport”, ku sqaroi se Lazio nuk do ta sabotojë këtë kompeticion, por do ta respektojë deri në fund.
“Për rritjen e klubit do të ishte e rëndësishme që Lazio të luajë çdo vit në kompeticionin më të madh evropian (duke iu referuar Ligës së Kampionëve), por tani që jemi në Ligën e Konferencës dua që skuadra ta nderojë deri në fund. Duhet të bëjmë maksimumin për ta fituar”, shtoi ai.
Lazio ka 23 vjet pa fituar një trofe evropian. Trofeu i fundit i fituar ishte Kupa e UEFA-s më 1999, në kohën e një gjenerate të artë futbollistësh që luanin për klubin kryeqytetas. Drejtori shqiptar, Tare, është i vetëdijshëm për rëndësinë që kanë kupat evropiane për pasurimin e vitrinës së trofeve në një klub.
“Në fakt, një trofe është gjithmonë i rëndësishëm dhe qëndron përjetësisht në vitrinë”, deklaroi ai.

Ai ka vlerësuar lart punën e bërë nga kryesia e klubit, duke saktësuar se është tregues i mjaftueshëm se Lazio nuk injoron apo nënvlerëson ndonjë kompeticion.
“Përveç tjerash puna e bërë nga kryesia gjatë këtyre viteve tregon që Lazio nuk e zhvlerëson asnjë kompeticion”, përfundoi ai.
Cilat kishin qenë fjalët e Igli Tares rreth Ligës së Konferencës tri javë më parë?
Deklaratat e sotme të Igli Tares po interpretohen si një zbythje, sepse të tjera qëndrime kishte shfaqur javë më parë.
Tare në arsyetimin e sotëm, në kuadër të prononcimit dhënë për “Gazzetta Dello Sport”, u mundua të nxjerrej disi duke thënë se fjalët e tij të mëhershme ishin keqkuptuar dhe keqinterpretuar, ngase qëllimi ishte vetëm një humor rasti ndaj një pyetje që ia kishte parashtruar një student në petkun e tifozit të Romës dhe jo që ishte një qëndrim zyrtar i tij si shef ekzekutiv i klubit.
Sido që të jetë, fjalët e mëhershme të Tares kanë mbetur në kujtesën e shtypit dhe të ndjekësve të futbollit. Aty qartësisht ironizohej me Romën dhe triumfin e saj në Ligën e Konferencës në Tiranë gjatë sezonit 2021/2022. Tare e quante deklarativisht si “kompeticion humbësish”.
Deklarata këto që bëheshin më 16 tetor, ose thënë ndryshe tre javë më parë nga shefi ekzekutiv i Lazios, Tare, ishin këto: “Në futboll shpikën kompeticione të padobishme siç është Liga e Konferencës, që njëherësh e quaj si kompeticioni i humbësve ose Liga e Evropës – që nuk anë asnjë vlerë sa i takon inkasimeve financiare që prodhojnë.”

Deklarata të pamatura ose të nxitura, që tani kanë filluar ta vënë në lajthitje edhe Lazion, duke u parë me sy dyshues se çfarë qasje do ta ketë klubi italian në Ligën e Konferencës, pasi nuk siguroi kalimin tutje në Ligën e Evropës.
Gjithsesi, kunja dhe thumbime të tilla mes Mourinhos dhe Tares vijnë në javën e derbit. Edhe në të kaluarën ka pasur të tilla shkëndija, që e bëjnë derbin akoma më shpërthyes.
Për momentin Roma zë pozitën e 4-të me 25 pikë, kurse Lazio e ndjek mbrapa duke u renditur në pozitën e 5-të me një pikë më pak, 24 sosh.


