Tare: Klubet si Inter, Milan dhe Juventus teknikisht të falimentuara, vetëm nga sistemi mbahen gjallë
Drejtori i Lazios, Igli Tare, ka dhënë një deklaratë të fortë gjatë orëve të fundit, duke thënë se skuadrat e mëdha si Inter, Milan dhe Juventus janë teknikisht të falimentuara, por sistemi ka nevojë për to dhe kësisoj mbahen gjallë.
Në industrinë e futbollit Igli Tare bindshëm është drejtuesi shqiptar më i mirë. Përmes aftësisë së tij menaxheriale ai ka bindur presidentin Lottito të Lazios që ta vazhdojë bashkëpunimin me të për më shumë se një dekadë tashmë.
Drejtori shqiptar ka folur në një ligjëratë te një universiteti në Romë rreth gjendjes së tanishme të futbollit italian dhe të ardhmen se si e sheh.
Ajo çfarë ka marrë vëmendje nga ky aktivitet, ka qenë shigjetimi që u ka bërë klubeve të mëdha në Itali, si Inter, Milan, Juventus, por edhe vetë Roma.
“Sot, ka klube edhe të rëngut të parë, si Juventus, Roma, Milan dhe Inter, që teknikisht janë të falimentuara, por mbahen gjallë nga fakti se sistemi ka nevojë për to”, ka thënë ai.
Tare tregon klubet modele që i pëlqejnë në Itali
Futbolli në Itali që tre dekada përballet me një ngecje enorme në infrastrukturë dhe një vonesë tejet të madhe në krahasim me vendet tjera sa i përket procesit të privatizimit të klubeve. Vetëm Udinese dhe Juventusi për momentin gëzojnë stadiume ku inkasimet u shkojnë drejtpërdrejt atyre. Klubet tjera duhet t’i bëjnë llogaritë me komunat përkatëse, pasi ato janë hisedarët kryesorë të stadiumeve përkatëse.
Megjithatë, Igli Tare duket se është konservator sa i përket modelit të menaxhimit të klubeve që i pëlqejnë atij: “Deri më tani kanë mbetur katër klube që vazhdojnë të mbesin prona familjare: Udinese, Atalanta, Lazio dhe Napoli. Unë jam më shumë për këtë menaxhim. Shoqëritë shumëkombëshe kanë vetëm interesa komerciale dhe ndikojnë që të humbasin pjesë më të bukura të futbollit: pasioni dhe dashuria.”
Ndër të tjera, Tare tha se i pëlqen mendësia e vjetër rreth të konceptuarit të menaxhimit të klubeve: “Ato kompani të huaja operojnë me algoritme dhe nuk dëshirojnë më të dëgjojnë rreth historisë të skuadrës dhe të qytetit. Mua më pëlqen më shumë ‘shkolla e vjetër’.”

Ky i sivjetmi për drejtorin shqiptar është i pesëmbëdhjeti në menaxhimin e Lazios-Gjatë fazës parapërgatitore ka qenë i kontestuar për shkak të mungesës të afrimit të lojtarëve të caktuar që tifozët fanatikë të klubit kryeqytetas italian i dëshironin, por ecuria deri më tani në kampionat ka bërë që ai, së bashku me presidenti Lottito dhe trajnerin Maurizio Sarri, veçanërisht për meritë të këtij të fundit, t’i heshtin të gjithë ato zëra.
Lazio deri më tani zë vendin e 3-të në renditjen tabelore me 20 pikë të grumbulluara. Gjatë ditës së nesërme do të ndeshet ndaj Udineses, me fillim në ora 15:00.

Bëhet fjalë për skuadra që numërojnë pikët e njëjta, paçka llogaritet edhe si ndeshja kryesore nga ato që do të zhvillohen në Serie A në orarin të pasditës.

