Mori akuzash rëndojnë mbi pronarin e PSG: Spiunazh, tortura, shantazhe dhe kërcënime - NACIONALE

Mori akuzash rëndojnë mbi pronarin e PSG: Spiunazh, tortura, shantazhe dhe kërcënime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

PSG po e bën detyrën në fushë, duke bërë një ecuri pozitive si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, problemet e klubit burojnë në menaxhimin e brendshëm, ku Al Khelaifi po akuzohet për shumë gjëra të pahijshme.

Qëkur ka marrë pronësinë e PSG, Al Khelaifi ka investuar miliarda euro në përpjekjen për ta transformuar skuadrën në një ekip fitues, me lojtarë të mëdhenj dhe suksese të shumta.

Sukseset nuk kanë munguar, por nuk janë plotësuar në tërësi, marrë parasysh se trofeu i shumëdëshiruar, ai i Ligës së Kampionëve, akoma nuk është fituar.

Sidoqoftë, janë një mori akuzash që rëndojnë mbi udhëheqjen e Al Khelaifit. Mediet franceze ditë pas dite po nxjerrin dëshmi dhe të dhëna të reja se si i pari i kampionit në fuqi të Ligue 1 po përdor çdo praktikë të vrazhdë për t’i menaxhuar çështjet e brendshme.

Nesër PSG do ta luajë një sfidë të zakonshme në kampionat, si ajo ndaj Ajaccio. Ndërkohë skandalet e pretenduara të klubit vazhdojnë të shpalosen çdoherë e më shumë.

Kërcënimet, shantazhet dhe elementet tjera të ngjashme

Shërbimet sekrete dhe ato të Katarit janë përfshirë në skandalet e pretenduara, por jo vetëm. Kërcënime, akuza për torturime e deri te orkestrimi i linçimeve në rrjetet sociale për individë të caktuar, qofshin ata edhe brenda ekipit.

E përditshmja franceze, “L’Equipe”, po merret vazhdimisht me më të rejat në klubin parisien që kanë të bëjnë me këto dinamika.

Al Khelaifi akuzohet se është një njeri në qendër të luftës për betejë. Ai është përmendur edhe nga Tayeb Banabderrahmane, një afarist që ka operuar në Katar për Komitetin e Drejtësisë Njerëzore dhe Lokale.

Në janar të vitit 2020 ai u arrestua në Doha me akuzën për spiunazh dhe shantazh. Porsa është rikthyer në Francë, sipas rrëfimit të tij, ishte dërguar në burgjet e shërbimeve sekrete të Katarit, ku ishte nënshtruar në tortura, deri sa nuk kishte nënshkruar një marrëveshje private me Al Khelaifin.

Në atë marrëveshje zotohej se nuk do të angazhohej për të shpërndarë dokumente konfidencionale dhe private, të cilat që atëherë ishin sekuestruar.

Çdo thyerje e ujdisë do të kishte një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarëve. Pra, janë këto prapaskenat tronditëse që po qarkullojnë në shtypin ndërkombëtar, të cilat po lëkundin themelet e një klubi që është në zhvillim e sipër me një skuadër shumë cilësore siç është PSG.

Në një-vjeçarin e fundit pronari i PSG ka rritur ndikimin edhe në UEFA, veçmas pas propozimit për Superligën Evropiane nga presidentët e klubeve të Real Madridit dhe Juventusit.

Lajme të ngjashme