Ministria e Sportit: FFK-ja e ka shkelur Statutin e Federatës dhe ligjin për sport me shpalljen e zgjedhjeve për kryetar
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS) ka gjetur se Federata e Futbollit e Kosovës e ka shkelur Statutin e vet dhe ligjin për sport duke i shpallur zgjedhjet për kryetar të federatës për datën 6 prill.
Lajmi është konfirmuar nga një dokument të Departamentit Ligjor të MKRS-së, në të cilin ka qasje Gazeta Nacionale.
Duke iu përgjigjur kërkesës së ushtruesit të detyrës së sekretarit të MKRS-së, Bislim Bislimi, nëse FFK-ja e ka shkelur Statutin e vet duke i thirrur zgjedhjet para kohe dhe në një afat të shkurtër prej rreth një muaji, departamenti ligjor gjeti: “Në kuptimin të paragrafit 3 të nenit 39 të Statutit të Federatës së Futbollit konsiderojmë se kjo Federatë nuk e ka zbatuar paragrafin 3 të këtij neni ku shprehimisht përcaktohen afatet kohore për organizimin e zgjedhjeve për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.”

Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre. Ndaj FFK-së pati kritika dhe akuza se me këtë ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Kjo është konfirmuar tashmë nga departamenti ligjor i Ministrisë së Sportit, sipas të cilës FFK-ja e ka shkelur edhe ligjin për sport në të njëjtën kohë.
Në dokument tutje thuhet: “Në kuptim të kësaj Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka respektuar dispozitat e cekura më lartë në Ligjin Nr. 2002/24 dhe Udhëzimin Administrativ Nr 02/2015 për Themeliminn dhe Licencimin e Federatave dhe Shoqërive Sportive.”
Nuk është e qartë nëse zgjedhjet do të anulohen apo jo.
Ademi është në kërkim të një mandati të dytë në krye të shtëpisë së futbollit në vend dhe kundërshtari i tij i vetëm në këto zgjedhje të jashtëligshme, sipas Ministrisë së Sportit, do të jetë Gramoz Vokrri, djali i legjendës dhe ish-kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.
60-vjeçari, i cili e kishte marrë drejtimin e FFK-së pas vdekjes së Fadil Vokrrit më 2018, pritet të përballet sërish me ligjin në maj, kur pritet të nisë rigjyimi i tij nën dyshimin për vepër penale "detyrim në tentativ".





