Ministria e Sportit bën thirrje që të zbatohet statuti i federatës për zgjedhjet në FFK
Ministria e Sportit ka bërë thirrje edhe një herë që të zbatohet statuti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), pas polemikave të mëdha që shkaktoi thirrja e zgjedhjeve të parakohshme për president të shtëpisë së futbollit në vend.
Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre.
Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Në një reagim në Facebook, Ministria e Sportit shkroi: “Kredibiliteti, gjithëpërfshirja, respektimi i normave të së drejtës si dhe mundësitë e barabarta në organizata e federata sportive, janë parimet udhëheqëse mbi të cilat Ministria e Sportit ndërton dhe promovon bashkëpunimin me këto federata/organizata.”
Për më tepër vendimi i FFK-së për të thirrur zgjedhje të reja pa ndonjë arsye ligjore, duke qenë se presidentit të tanishëm Agim Ademi nuk i mbaron mandati katërvjeçar deri në korrik, është kritikuar ashpër, posaçërisht nga kundërshtarët e Ademit, të cilët e shohin këtë si një përpjekje dëshpëruese të tij për ta ruajtur postin deri më 2026.
Raportohet se, Ademi - i cili është në rigjykim për veprën penale shtytje në tentativë dhe nën hetime për kurdisje - e ka për kundërshtar Gramoz Vokrrin, djalin e legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, pas vdekjes të së cilit e mori drejtimin e federatës më 2018.
“Ne jemi duke punuar intensivisht në reformimin e kornizës së politikave publike dhe asaj ligjore në fushën e sportit e cila do të ndryshojë rrënjësisht shpërndarjen e resurseve publike dhe përdorimin e masave administrative në funksion të arritjes së qëllimeve e objektivave strategjike të Qeverisë për sportin si nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm. Ministria e Sportit e kupton mjaft mirë domosdoshmërinë e respektimit të vijës ndarëse në raportet mes autoritetit publik dhe organizatave e federatave sportive dhe po ashtu të obligimeve e të drejtave reciproke në kuptimin e rregullimit ligjor të fushës së sportit me ligjet e Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të sillemi e të veprojmë vetëm brenda këtyre parimeve”.
Ministria e Hajrullah Çekut i mohoi po ashtu raportimet në media se është duke e përpiluar një draft të veçantë për FFK-në pas polemikave të fundit.
“Raportimet se Ministria e Sportit ka zhvilluar akte normative me referencë në një federatë të vetme, janë tërësisht të pavërteta. Citimi i drafteve të akteve normative, në funksion të rivalizimit të brendshëm, është keqpërdorim dhe keqinformim me copëza të informatave që nuk e prezanton drejtë pozicionin e Ministrisë së Sportit në publik.”
Në njoftim tutje thuhet: “Ministria e Sportit është autoritet publik dhe ka hierarkinë e saj e cila po ashtu ka të përcaktuara qartësisht autorizimet e veta. Në këtë kontekst, qoftë komunikimi i qëndrimeve në publik apo edhe prezantimi i akteve normative për konsultim me publikun, ka autoritete, mjete e procedura se si realizohet kjo dhe jashtë kësaj, askush nuk mund ta prezantojë qëndrimin e Ministrisë në publik. Ne bëjmë thirrje për proces të rregullt e të bazuar në norma statutare të çdo federate dhe poashtu nxisim me gjithë fuqinë tonë, funksionalizimin e trupave brenda organeve të organizatave sportive në vend që të zgjedhin çdo rast me pretendime potencialisht të bazuara të normave statutare.”