Ministri Çeku paralajmëron se do ta çojë FFK-në në gjykatë dhe mund t'ia heqë licencën
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se ministria e tij është duke e rishikuar procesin zgjedhor kontrovers të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në gjykatë dhe se FFK-ja do ta humbë licencën nëse gjykata gjen se ajo e ka shkelur ligjin gjatë procesit.
Ministria e Sportit e kishte akuzuar FFK-në për shkeljen e ligjit për sport dhe të vetë Statutit të federatës duke i shpallur zgjedhjet për datën 6 prill, në të cilat Agim Ademi u rizgjodh president për një mandat të dytë katërvjeçar.
Sidoqoftë, në këtë Kuvend Zgjedhor, 15 delegatë që mbështetën Gramoz Vokrrin (kandidatit që iu mohua aplikimi nga KE), e bojkotuan Kuvendin dhe paralajmëruan edhe largimin nga garat nëse nuk reagon MKRS.
Për këtë çështje dhe disa të tjera, Çeku ka treguar qëndrimin e MKRS, në një intervistë për “Kanal 10”.
Ministri ka bërë me dije që kanë pranuar përgjigje nga FFK-ja dhe janë duke i shqyrtuar, por në rast që nuk bindën, atëherë do t’i dërgojnë në gjykatë.
"Pozicioni i Ministrisë është i rregulluar brenda klubeve, përfshirë edhe normave të sportit. Ne kemi pasur komunikim zyrtar me FFK-në, i kemi njoftuar mbi vendimet tona ligjore rreth shpalljes së zgjedhjeve dhe rreth procesit që ka përfundu sipas FFK-së në Kuvendin e tyre zgjedhor. Kemi disa shqetësime dhe kemi kërkuar sqarime nga Federata dhe kemi pranuar përgjigjet e tyre dhe tashmë po besoj që pasi përfundojë Kuvendi Zgjedhor, ne jemi duke përgatit pozicionin tonë përfundimtar, që ndoshta mund të përfundojë në gjykatë".
"Po i shqyrtojmë përgjigjet, po analizojmë procesin e Kuvendit Zgjedhor dhe të gjitha këto nëse nuk na bindin që ka qenë nëpër rregullat e ligjit të sportit, ne këtë lëndë e dërgojmë në gjykatë, që pastaj do ketë vendim përfundimtar mbi FFK-në", tha fillimisht ai.
Tutje, Çeku foli për letrën që e pranoi nga opozita, të cilët bojkotuan Kuvendin Zgjedhor.
"Letra nga opozita? Jemi duke i bërë të gjitha, e kuptojmë shqetësimin e këtyre delegatëve. Unë besoj që klubet dhe delegatët kanë të drejtë ta dërgojnë këtë çështje në gjykatë, mirëpo ata nuk mund të presin ndihmë nga ne sepse ne nuk i ndihmojmë, por e këqyrim ligjshmërinë".
I pyetur nëse ishte në rregull që zgjedhjet në FFK të mbahen para kohe, Ministri i sportit theksoi se kjo ka qenë një ndër problemet që ka hasur probleme.
"Një nga problemet ka qenë afati kur janë mbajtur këto zgjedhje dhe ne e kemi ngritur në shqetësim, por në përgjigjet që kemi pranuar nga FFK-ja, ata e mbrojnë vendimin. Në këso situata, gjykata e jep fjalën e fundit".
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të MKRS-së, Fikret Shatri në të kaluarën ka paralajmëruar se FFK-së, mund t’i merret licenca dhe këtë e konfirmojë edhe Çeku, që tregojë në detaje si mund të ndodh kjo gjë.
"Është e drejtë të MKRS sepse ne japim licenca. Nëse disa kushte shkelën, atëherë mund të ndodh. Një ndër opsionet është vendimi i gjykatës. Nëse FFK-ja shembull nuk i bindet vendimit të gjykatës, atëherë ne mund ta marrim licencën e kësaj Federate. Për disa ditë, do ketë ndryshim të licenca sepse kemi ndryshuar kushtet dhe fuqizuar disa kushte dhe të gjitha Federatat duhet të rilencencohen”.
Pas rizgjedhjes së Ademit, FFK-ja ende nuk ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me MKRS-në. Çeku thotë se kjo situatë nuk do ndryshojë pa u rregulluar çështja e zgjedhjeve.
"FFK e ka kryer ciklin zgjedhor dhe për Federatën, Z.Ademi është kryetar dhe kështu do jetë deri në një vendim tjetër nga një gjykatë për ta rikthyer procesin në pikën zero. Ne si Ministri, nuk mund të procedojmë në nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit, që është financimi vjetor që i japim Federatën, por kjo është ngrirje e raporteve derisa të sqarohet çështja e rregullsisë".
Në fund, Çeku foli edhe për bojkotimin e garave që paralajmëruan këto klube, duke thënë se i takon FFK-së të zgjedhë këtë çështje.
" Federata duhet të zgjedhë këto çështje. Në fakt këto çështje duhet të zgjedhin brenda tyre dhe asnjëherë të mos dalin jashtë. Kjo tregon njëfarë mungese të integritetin për t'i treguar këto çështje, nuk do ishte mirë, por MKRS nuk duhet të shihet si zgjidhja për gjithçka. Nëse është një grup me delegatë që kontestojnë zgjedhjet, kemi një grup shumë më të madh që kanë marrë pjesë, e kanë votuar dhe nuk kanë shqetësime. Kjo nuk do të thotë që është rregulluar aty".