Ministri Çeku: FFK-ja ka ende shumë punë për licencim, s’rrezikohet përjashtimi nga FIFA e UEFA - NACIONALE

Ministri Çeku: FFK-ja ka ende shumë punë për licencim, s’rrezikohet përjashtimi nga FIFA e UEFA

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, ende ka shumë punë për t’i plotësuar kushtet e nevojshme për t’i licencuar, por ka siguruar se moslicencimi i saj nuk përbën rrezik për përjashtim nga dy shtëpitë ndërkombëtare të futbollit, FIFA dhe UEFA.

FFK-ja, e cila udhëhiqet nga Agim Ademi i ndjekur penalisht, ka bërë përpjekje dëshpëruese për t’u licencuar që prej verës së vitit të kaluar, por nuk ka arritur t’i plotësojë kushtet e nevojshme të kërkuara nga ministria.

Ademi shpesh ka tentuar ta vërë nën presion Komisionin Vlerësues të Ministrisë së Sportit duke pretenduar se FIFA dhe UEFA mund ta përjashtojnë Kosovën nga organizatat e tyre shkaku i moslicencimit.

Megjithatë, ministri Çeku siguroi të mërkurën në një konferencë për media në Prishtinë se një rrezik i tillë nuk ekziston.

Nuk ka kurrfarë rreziku të përjashtimit të Federatës së Futbollit nga dy asociacionet ndërkombëtare (FIFA dhe UEFA)”, tha Çeku.

FFK-ja është ndër federatat e pakta dhe më e rëndësishmja që nuk ia ka dalë ta marrë licencën deri tani. Shtëpia e futbollit madje miratoi një Statut të ri në përpjekje për t’i plotësuar kushtet për licencim, por ai ka mangësi dhe nene që bien ndesh me kushtet e Ministrisë së Sportit, raporton Nacionale.

Sa i përket një kriteri shumë të rëndësishëm, licencimit të klubeve, këtu federata e futbollit ka shumë punë dhe ne e ftojmë edhe një herë federatën që ta përshpejtojnë bashkë me klubet dorëzimin e aplikacioneve të klubeve sepse licencimi nuk e përfshinë vetëm federatën si strukturë administrative dhe menaxhuese por edhe të gjitha klubet që bëjnë pjesë në garat zyrtare të federatës”, theksoi ai.

Çeku shtoi: “Ne jemi në komunikim edhe me UEFA-n edhe me FIFA-n, i kemi kërkuar disa sqarime nga to sa i përket statutit të ri të FFK-së dhe disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me kriteret ndërkombëtare për licencim. Kur t’i marrim përgjigjet nga FIFA dhe UEFA do të kemi më shumë qartësi në raport me licencimin e FFK-së”.

Si pasojë e paaftësisë së FFK-së dhe telasheve të brendshme e kokëfortësisë së kryetarit të saj për t’i plotësuar kërkesat, klubet e futbollit janë duke e vuajtur më së shumti moslicencimin.

Që prej fundit të vitit të kaluar, klubet e futbollit nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga ligji për sponsorizim në mungesë të licencimit të federatës së futbollit.

Pjesa e dytë e sezonit 2022/23 në Superligë i zuri ato me telashe edhe më të thella financiare dhe pa mundësia për të përfituar nga ligji për sponsorizim vetëm sa do t’ua vështirësojë jetën atyre.

Lajme të ngjashme