Shkaku i moslicencimit, FFK-ja s'e përfiton asnjë cent nga mbi 2 milionë euro që MKRS-ja i ndau sot për federatat sportive - NACIONALE

Shkaku i moslicencimit, FFK-ja s'e përfiton asnjë cent nga mbi 2 milionë euro që MKRS-ja i ndau sot për federatat sportive

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk do ta përfitojë asnjë cent nga ndihma financiare milionëshe që Ministria e Sportit ka vendosur ta ndajë për federatat e licencuara sportive për vitin 2023, si pasojë e paaftësisë së vet për t'u licencuar.

Njoftimin për këtë e ka dhënë zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ku me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se federatat e licencuara kanë përfituar mbi 2,2 milionë euro.

Postimi i plotë:

“Duke u bazuar në llogaritjen e pikëzimit të federatave sportive për performancën e tyre të vitit që lëmë pas dhe vlerës së rritur të koeficientit nga Ministri Hajrulla Çeku, shuma totale e memorandumeve të nënshkruara sot me federatat e licencuara nga MKRS, tejkalon shifrën e 2.2 milionë eurove.

Mbështetja për këto federata reflekton rritjen prej afër 30% në krahasim me vitin 2022, ndërsa afër 100% në krahasim me vitin 2021”, thuhet në postimin e zëvendësministres së MKRS-së.

Përfitues nga vlera e memorandumeve bazë janë gjithsej 19 federata sportive, të cilat kanë kaluar me sukses fazën e licencimit.

Ashtu siç pritej, më së shumti do të përfitojë Federata e Xhudos me 260 mijë euro, e përcjellë nga Hendbolli, Volejbolli, Basketbolli, Boksi, Sporti shkollor, Atletika, Pingpongu, Mundja, Skitaria, Tenisi, Autosportet, Shenjëtaria, Noti, Triathloni, Badmintoni, Çiklizmi, Golfi dhe Muay Thai.

Federata e Futbollit e Kosovës, jo çuditërisht nuk është pjesë e përfitueseve, pasi ajo ka dështuar që deri më tani të plotësojë kriteret për licencim.

Kjo çështje ka marrë jehonë të madhe edhe mediatike në Kosovë, me FFK-në që nuk ka kursyer edhe shumë shkelje ligjore me qëllim të arrijë deri te licencimi nga MKRS-ja, por kjo nuk është arritur.

Tentimi i fundit ishte votimi i Draft-Statutit, i cili brenda saj përbën shkelje të mëdha dhe serioze, i cili më së shumti është në favor të presidentit të Federatës, Agim Ademit.

Lajme të ngjashme