Milani mposht Bolognan dhe rrëmben përkohësisht kreun e tabelës
Milani ka arritur të fitojë në San Siro kundër Bolognas me rezultat 2:0, dhe kështu ka marrë kreun e tabelës së Serie A-së përkohësisht, pasi që Napoli ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e tretë.
Më meritori për këtë fitore padyshim se ishte Rafael Leao si gjithnjë. Ai shënoi golin e parë dhe asistoi në të dytin për Olivier Giroudin.
Kjo është fitorja e dytë e Milanit në këtë sezon krahas edhe një barazimi të arritur në javën e kaluar kundër Atalantës, duke arkëtuar shtatë pikë, ashtu si edhe tre skuadra tjera por që gol-dallimi është në të mirë të skuadrës nga Milano.
Pjesa e parë
Ashtu si gjatë tërë takimit ashtu edhen në pjesën e parë të lojës Milani ishte skuadra më e mirë në fushë në të gjitha aspektet.
Fillimisht ishin disa gjysmë raste të nisura nga De Ketelaere, por që nuk kishin ndonjë përfundim pasi lexoheshin lehtë nga vija mbrojtëse apo portieri mysafir.
Rasti i parë konkret deri në atë kohë erdhi në minutën e 13-të, kur Olivier Giroud pranoi një top të gjatë ku goditi por Lukasz Skorupski bëri një pritje brilante.
Pas katër minutave rrezikoi Messias me një goditje të ulët por në vend sërish ishte portieri, por kësaj radhe ishte më lehtë.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 21-të të ndeshjes kur belgu Keteleare asistoi për fantastikun Rafael Leao i cili me një goditje precize dërgoi topin në krahun e majtë pas krahëve të portierit për rezultatin 1:0.
Milani vazhdoi të avanconte para në sulm, kësaj radhe përmes mbrojtësit Kalulu i cili goditi nga afër por sërish portieri mysafir bëri pritje të mirë me një dorë.
Pas dy minutave milanezët u treguan të rrezikshëm përsëri me Messias, i cili bëri goditje qendrore por që mund të bënte më shumë.
Rrezikun e parë serioz në ndeshje, Bologna e pati në minutën e 38-të të takimit, kur Arnautovic gjuajti, por goditja e tij shkoi afër shtyllës së djathtë.
Rasti i fundit për këtë pjesë i takoi Milanit. Ishte Leao ai që në minutat shtesë kaloi dy kundërshtar dhe goditi prej pozitës së penalltisë, por topi nuk e kishte forcën e duhur dhe portieri e priti lehtësisht.
Kështu mbaroi intervali i parë kohor, me rezultat 1:0 për Milanin me golin e Leaos.
Pjesa e dytë
Edhe në pjesën e dytë skuadra e Piolit ishte kërkuese pavarësisht rezultatit në të mirë të tyre.
Leao rrezikoi në minutën e 49-të, por goditja e tij u devijuar nga mbrojtja dhe topi përfundoi lehtësisht te portieri.
Milani realizoi edhe golin e dytë, këtë e bëri sulmuesi francez Giroud, i cili me një goditje të fortë vollej e dërgoi topin poshtë në krahun e djathtë për të shënuar për 2:0, në minutën e 58-të.
Teksa po zhvillohej minuta e 68-të, Bologna arriti të rrezikoi me anë të Sansones i cili tentoi ta surprizonte portierin e Milanit, Maignan por goditja e tij shkoi fare pranë portës.
Portieri i Bolognas bëri sërish një pritje të mrekulueshme, kësaj radhe kundrejt një goditje të Saelemaekers, duke mos lejuar që skuadra e tij të pësonte golin e tretë.
Rasti i fundit në ndeshje i takoi Milanit. Në minutën e 85-të të takimit ishte Yacine Adli lojtari i ardhur në këtë afat kalimtar që lëshoi një goditje në krahun e djathtë, sërish portieri Skorupski u tregua vendimtar duke lexuar mirë gjuajtjen dhe për të bërë një pritje brilante.
Kështu, me rezultat 2:0 për Milanin përfundoi ndeshja. Pioli me skuadrën e tij marrin pikët e plota dhe vendosën në pozitën e parë, deri në ndeshjen e Napolit.

