Arsenal shënon fitore me rikthim, Juventusi dhe Bayerni ndalën me barazim nga kundërshtarët
Juventus dhe Bayern Munich nuk kanë arritur që të marrin më shumë se një pikë në shtëpitë e tyre ndaj Romës dhe Monchengladbach respektivisht të dyja me rezultat 1:1, ndërsa Arsenal me rikthim ka shënuar fitore ndaj Fulhamit me rezultat 2:1, duke mbetur skuadra e vetme me pikë të plota në Premierligë.
Juventus – Roma
Juventusi nuk arriti që të marrë më shumë se një pikë kundër Romës së Mourinhos në shtëpinë e saj.
Të dy skuadrat hynë në fushë pa asnjë humbje nga dy ndeshjet e para, me skuadrën e Allegrit që kishte fituar një dhe kishte barazuar në tjetrën, ndërsa ajo e Mourinhos kishte pikët maksimale, me dy fitore të arritura.
Ndeshja filloi furishëm për zonjën e vjetër, ku vetëm pas dy minutave lojë realizuan gol. Ishte Dusan Vlahovic ai që shënoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë për rezultatin 1:0.
Roma për herë të parë u duk e rrezikshme në fushë në minutën e tetë të takimit kur Pellegrini tentoi një goditje nga distanca por që u ndal nga duar e porterit Szczesny.
Juventusi arriti të shënoi edhe golin e dytë të takimit, por një prekje e topit me dorë nga sulmuesi serb i zonjës së vjetër u vërejt nga VAR dhe pastaj Irrati, gjyqtari i takimit anuloi golin dhe rezultati mbeti ai i minutës së dytë, 1:0.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, dhe me meritë Juventusi po kryesonte pas 45 minutave të parë.
Në pjesën e dytë, më mirë hyri skuadra e Jose Mourinhos, që kuptohej se dëshironte të paktën një barazim.
Mysafirët e arritën golin e barazimit, me anë të sulmuesit Tammy Abraham në minutën e 69-të, për rezultatin 1:1.
Deri në fund të takimit nuk kishte më ndryshim, kështu Juventus dhe Roma ndajnë pikët pas barazimit 1:1.
Arsenal – Fulham
Topçinjtë hynë në takimin ndaj Fulhamit si skuadra e vetme me pikë të plota pas tre takimeve të para, por përballja ndaj skuadrës së porsapromovuar nuk doli të jetë edhe aq e lehtë për të zgjedhurit e Artetas.
Për trajnerin spanjoll në krye të Arsenalit kjo ishte ndeshja e 100-të në Premierligë.
Arsenali gjatë pjesës së parë tregoi më shumë, edhe pse rezultati gjatë 45 minutave të parë ishte 0:0.
Rreziku i parë për portën e Fulhamit erdhi në minutën e 16-të, kur Odegaard harkoi mirë dhe gjeti Gabriel Jesus në zonë i cili la topin mirë për Granit Xhakën, por ky i fundit dështoi ta godas topin.
Ngadalë por sigurt Arsenal po merrte ndeshjen në kontroll të plotë. Kishin ide kreative por nuk arrinin të konkretizonin.
Shansi më i mirë për londinezët ishte ai i minutës së 34-të, kur Saka u gjend para ish-portierit të Arsenalit, Leno, i cili bëri pritje të mirë për t’ia mohuar golin vendasve.
Me kaq përfundoi pjesa e parë, rezultati deri në atë kohë ishte ende 0:0.
Pjesa e dytë filloi keq për Arsenalin, ku vetëm pas 10 minutave, Mitrovic shënoi për golin e epërsisë të Fulhamit, pra në minutën e 55-të për 1:0.
Arsenali u kundëpërgjigj shpejtë me anë të Martin Odegaard, i cili shënoi për 1:1, në minutën e 64-të të takimit.
Arsenali medoemos kërkonte fitoren, dhe po rrezikonte vazhdimisht. Ishe Saka ai që rrezikoi nga afërsia në minutën e 81-të por topi shkoi drejt e në duart e porterit gjerman Leno.
Sulmeve të vazhdueshme të Arsenalit, nuk mundi t'i bënte ballë Fulhami. Topçinjtë arritën të shënonin golin e epërsisë përmes mbrojtësit Gabriel në minutën e 86-të, për rezultatin 2:1.
Me këtë gol përfundoi gjithçka, Arsenali merr pikët e plota dhe vazhdon kryesimin e Premierligës.
Bayern Munich – Borussia Monchengladbach
Kampioni i Gjermanisë nga sezoni i kaluar, Bayern Munich u përballë me Monchengladbach. Skuadra e Nagelsmann erdhi në këtë ndeshje pas tre fitoreve bindëse, ndërsa rivali i saj erdhi nga dy fitore dhe një barazim.
Ndeshja filloi mirë për kampionët, ku vetëm në minutën e parë krijuan një rast të rrezikshëm. Upamecano goditi me kokë pas një harkimi të Kimmich, por Sommer ishte në vendin e tij duke bërë një pritje të mirë.
Në minutën e tretë bavarezët kërkuan penallti për prekje me dorë, por gjyqtari dhe VAR nuk menduan ashtu dhe loja filloi sërish aty ku mbeti.
Në minutën e 30-të takimit rrezikoi Mane që nëse do shënonte do ishte një nga golat më të bukur të sezonit, por topi përfundoi jashtë.
Minutën e 34-të Bayern arriti të realizojë përmes Manes, por goli u anulua nga VAR për shkak të pozitës jashtë loje.
Monchengladbach ndoshta në mundësinë e parë serioze kaloi në epërsi. Ishte Thuram ai që shënoi në minutën e 43-të pas një gabimi të Upamecanos, për rezultatin 1:0.
Kështu edhe përfundoi pjesa e parë, me epërsi minimale të mysafirëve.
Bayerni në pjesën e dytë po rrezikonte vazhdimisht, dhe dukej se në fushë ishte vetëm një skuadër.
Pas tërë atij dominimi nuk kishte si të mungonte edhe goli i barazimit.
Leroy Sane ishte ai që shënoi për 1:1, në minutën e 83-të, duke mos lejuar që skuadra e tij të humbiste të gjitha pikët në stadiumin e vet.
Gola më nuk kishte, kështu Bayerni u ndal me barazim, dhe këto janë pikët e para që kjo skuadër humb në këtë sezon në Bundesliga.