Lazio e mposht Interin me një paraqitje brilante
Lazio ka arritur ta mposhtë Interin në terrenin vendas, Stadio Olimpico. Në një ndeshje të fortë ndërmjet dy skuadrave, djelmoshat e Maurizio Sarrit ia shkaktuan humbjen e parë atyre të Simone Inzaghit në këtë sezon, me rezultat 3:1.
Të dy skuadrat hynë në këtë ndeshje pa asnjë humbje nga dy përballjet e para, me zikaltrit që kishin pikët e plota, ndërsa të kaltërebardhët kishin një fitore dhe një barazim.
Në përgjithësi, Interi tregoi diç më shumë nga ndeshja, por nuk arriti t’i konkretizonte rastet mjaftueshëm të paktën për një pikë.
Golat e fitores për Lazion i shënuan Felipe Anderson, Luis Alberto dhe Pedro, ndërsa golin e vetëm për Interin e shënoi Lautaro Martinez.
Pjesa e parë
Fillimi i lojës i takoi Interit, të cilët deri në minutën e 15 të takimit rrezikuan dy herë me gjysmë raste, fillimisht me Denzel Dumfries e pastaj me Roberto Gagliardinin, por në të dy raste portieri i Lazios Ivan Provedel u tregua i kujdesshëm duke reaguar në kohë.
Deri në këto minuta Interi nuk e kishte të vështirë të ndërtonte aksione nga mbrapa, me Lazion që ende nuk kishte arritur të hyjë në lojë.
Rasti më i mirë për skuadrën vendase deri në atë kohë ishte ai i minutës së 16-të, ku pas një kombinimi të mirë, Masuvic harkoi për Ciro Immobilen, i cili goditi afër portës.
Dyshja e sulmit te zikaltrit, Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez, tentuan të ndryshonin gjërat në dy kohë. Fillimisht sulmuesi belg pas një harkimi të Dimarcos, nuk e shfrytëzoi mirë e pastaj argjentinasi katër minuta më vonë nuk e kishte precizitetin e duhur.
Deri te minuta e 35 e takimit lirisht mund të themi se Interi ishte skuadra më superiore, duke pasur disa gjysmë raste.
Një mundësi e dytë për Lazion erdhi pikërisht në minutën e 35 , kur Zaccani goditi mirë, por u bllokua nga Skriniar.
Nuk vonoi shumë dhe pas tre minutave sërish skuadra e Sarrit pati një rast të mirë, por sërish Immobile dështoi të shënonte, por kësaj radhe me pritjen e Samir Handanovic.
Goli i parë i takimit erdhi pesë minuta para se të mbyllej pjesa e parë. Lazio shënoi për 1:0 me anë të Felipe Andersonit në minutën e 40-të, pas një harkimi fantastik të Milinkovic-Savic.
Në minutat e mbetur nuk pati më raste shënimi, përveç një rasti të dyshimtë për penallti, të kërkuar nga Interi, por gjyqtari i takimit në konsultim me VAR-in nuk e panë një ndërhyrje të palejuar.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Lazios 1:0.

Pjesa e dytë
Pjesa e dytë filloi me një intensitet të lartë. Lazio me anë të Immobiles rrezikoi dyfishimin e epërsisë, por portieri slloven intervenoi mirë.
Interi u kundërpërgjigj shpejt duke barazuar rezultatin qysh në fillim të kësaj pjese. Ishte Lautaro Martinez ai që shënoi për 1:1, pas një gjuajtje të lirë të nga Dimarco ku Lazio nuk largoi mirë topin dhe Dumfries dërgoi topin sërish në zonën e rrezikshme, dhe prekja e lehtë e sulmuesit argjentinas mjaftoi të topi të përfundonte prapa krahëve të Provedel.
Intervali i dytë kohor premtoi më shumë nga ndeshja, me Interin që menjëherë pas golit të shënuar tentoi përsëri, me anë të Dumfries që goditi nga afërsia me kokë por mrekullisht Provedel priti dhe shpëtoi skuadrën e tij nga përmbysja e shpejtë e rezultatit.
Interi vazhdoi dominimin e takimit dhe sërish doli në rast për gol, me harkimin e mbrojtësit holandez në drejtim të Lukakut që goditi me kokë, por lehtësisht u kap nga portieri vendas.
Në vazhdim Lazio kishte diçka më shumë nga ndeshja. Ata arritën të shënonin golin e dytë të takimit me anë të mesfushorit fantastik, Luis Alberto që la të shtangur Handanovicin me një goditje të fortë në minutën e 75-të të takimit, për rezultatin 2:1.
Lazio shënoi edhe golin e tretë, golin e sigurisë. Ishte spanjolli Pedro që me një goditje të bukur e la pa gjasa portierin slloven në minutën e 86-të, për rezultatin 3:1.
Të dy skuadrat tentuan edhe me nga një rast në fund për të shënuar por në të dyja rastet ishin portierët ata që pritën goditjet. Kështu epilogu final i takimit ishte fitorja 3:1 e Lazios.

