Milan gati t'ia propozojë Kalulus ofertën për vazhdim të kontratës - NACIONALE

Milan gati t'ia propozojë Kalulus ofertën për vazhdim të kontratës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pierre Kalulu ka qenë prej lojtarëve më të dalluar te Milan, i cili përmes paraqitjeve të tij ka ndikuar në sukseset e klubit, veçanërisht për stolisjen me titull kampion.

Kalulu nuk ka qenë ndër emrat që nxiste më së shumti entuziazëm te tifozët e Milanit gjatë fillimit të edicionit paraprak. Mirëpo, falë paraqitjeve të tij gjithmonë në ngritje, kanë ndikuar që ai të karakterizohet si një shtyllë e mbrojtjes të skuadrës kampione italiane.

Dyshja në mbrojtje me Tomorin është vlerësuar maksimalisht nga opinionistët dhe shtypi italian, për shkak të krejt asaj çfarë kanë demonstruar gjatë muajve të fundit.

Sido që të jetë, Milan nuk e ka ndër mend ta qëndrojë duarkryq, pasi është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset nga klubet tjera, të cilat janë interesuar për të.

Detajet për propozimin rreth vazhdimit të kontratës

Si shpërblim për paraqitjet e mira, Milan ka planifikuar që t'ia propozojë mbrojtësit francez, Kalulu, vazhdimin e kontratës.

Maldini dhe Massara për momentin si prioritet kanë gjetjen e një mbrojtësi të katërt, i cili do ta kompletonte organikën e skuadrës. Menjëherë pasi do të përfundojë kjo gjë, Milan do t'ia propozojë një ofertë katërvjeçare.

Kampioni italian sa i përket vazhdimit të kontratave të futbollistëve kryesorë ka lëvizur mjaft mirë në këtë periudhë, e në veçanti sa i përket mbrojtësve.

Milan ka siguruar edhe vazhdimin e kontratës të Tomorit, i cili do të qëndrojë në radhët e klubit italian deri në vitin 2027 siç specifikohet në kontratë.

Me këto lëvizje, drejtuesit e klubit milanez synojnë që ta çojnë përpara projektin e tyre, sa i përket tendencës për ta ripërtërirë skuadrën, duke bërë që lojtarët që mbajnë barrën e përgjegjësive që të mbesin pjesë e klubit për një kohë afatgjate.

Paraqitjet ngazëllyese të Kalulu

Vetë ndeshja kundër Udineses, të cilën Milan e fitoi me përmbysje, me anë të rezultatit 4:2, ishte një tregues sesi Kalulu ka rritur shkallën e përformancës së tij.

Një rikuperim të topit që bëri, duke neutralizuar një kundërsulm të Delofeut, ngriti jehonë. Paraqitje të ngjashme Kalulu ka treguar gjatë tërë kohës sa i është hapësirë nga Pioli.

Për këtë arsye mendohet se Kalulu do të jetë akoma më shumë relevant gjatë edicionit të sivjem, pasi përmirësimi tek ai po vërehet në formë të theksuar çdoherë e më shumë.

Që nga fillimi i muajit mars të vitit të kaluar, ai ka qenë gjithnjë titullar, duke bërë edhe dallimin përmes disa ndërhyrjeve që janë vlerësuar kyçe, të cilat shpesh kanë ndikuar që Milan t'i fitonte disa pikë që ishin tej mase të rëndësishme.

Lajme të ngjashme