Milani fillon mbrojtjen e titullit me fitore ndaj Udineses, Manchester United turpërohet nga Brentfordi - NACIONALE

Milani fillon mbrojtjen e titullit me fitore ndaj Udineses, Manchester United turpërohet nga Brentfordi

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Kampioni i Serie A-së nga sezoni i kaluar, Milani, e ka nisur mirë kampanjën e re me fitoren ndaj Udineses në San Siro me rezultat 4:2, ndërsa Manchester Unitedi vazhdon me formën e keqe nga ndeshja e parë, ku sërish u mposht por tani u turpërua nga Brentfordi me rezultat 4:0.

Milan – Udinese

Udinese e filloi më mirë takimin, ku shënoi menjëherë në minutën e 2-të të takimit.

Ishte harkimi nga rivënia këndore e Gerard Deulofeu e cila e gjeti mirë të vendosur në shtyllën e parë Rodrigo Becaon, i cili dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1:0.

Reagimi ishte i shpejtë nga Milani që realizoi dy gola të shpejtë, për ta kthyer rezultatin në të mirë të tyre.

Fillimisht shënoi mbrojtësi Theo Hernandez nga pika e bardhë në minutën e 11-të, për barazimin e rezultatit, e pastaj shënoi kroati, Ante Rebic, në minutën e 15-të pas një asistimi nga Davide Calabria, që qoi rezultatin në 2:1.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Udinese e barazoi rezultatin. Ishte Adam Masina ai që realizoi për 2:2, me një gol të bukur me kokë pas një asistimi të Roberto Pereyra.

Pjesa e dytë filloi furishëm për Milanin, nëse në pjesën e parë Udinese shënonte për epërsinë e parë vetëm pas dy minutash, tani në pjesën e dytë ishte Milani ajo që kaloi në epërsi vetëm pas një minute kur filloi takimi.

Ishte Brahim Diaz ai që shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së Udineses, dhe shënoi nga afërsia për epërsinë e dytë në këtë takim, tani për rezultatin 3:2.

Ante Rebic shënoi edhe golin e dytë të takimit, tani në minutën e 68-të, pas një asistimi të Diazit.

Sërish një gabim në mbrojtje nga bardhezinjtë, e shfrytëzoi mirë Diaz i cili mori topin, veproi mirë në hapësirë të ngushtë e pastaj dërgoi topin te kroati i cili lehtësisht dërgoi topin në golin e zbrazët për rezultatin përfundimtar 4:2.

Brentford – Manchester United

Brentfordi pas një paraqitje mbresëlënëse në pjesën e parë, ka arritur ta mposhtë Manchester Unitedin dhe mbi të gjitha ta turpërojë atë me rezultat 4:0. Kjo është humbja e dytë në dy takime sa janë zhvilluar.

Skuadra e Ten Hag e nisi keq edhe ndeshjen e parë, ku humbi nga Brighton, ndërsa tani është shkatërruar tërësisht në çdo repart të fushës nga Brentfordi.

Llogarinë për Brentford e hapi Dasilva në minutën e 10-të, i cili pranoi një asist nga Jensen. Por goli erdhi fal një gabimi të De Geas, ku i rrëshqiti topi nga duart për të përfunduar në portë.

Cristiano Ronaldo i cili sot gjendet në formacionin titullar, ishte pjesë e këtij goli të parë, ai humbi topin një zonë delikate, por që gabimi i David De Geas ishte i pajustifikueshëm.

Për golin e dytë u përkujdes ai që asistoi në golin e parë, pra Mathias Jensen realizoi golin e dytë vetëm tetë minuta më vonë, ai goditi lehtësisht nga afër 12 metra, për rezultatin 2:0.

Gjithçka po vinte duke u vështirësuar për Unitedin, e për t’ia bërë ende më të rëndë u përkujdes mbrojtësi Ben Mee. Pas një harkimi nga rivënia këndore u shkaktuar një tollovi në zonë, me mbrojtësin që u gjend mirë për të realizuar me kokë për 3:0.

Sulmuesi 23-vjeçar, Bryan Mbeumo, u përkujdes që ta fundos Unitedin vetëm kur kishte afër të përfundonte pjesa e parë e takimit.

Një kundërsulm i shpejtë dhe një top zhagasi i dërguar drejt sulmuesit të ri, e gjeti atë përball portierit spanjoll, e që pastaj realizoi për rezultati përfundimtar të pjesës së parë 4:0.

Pjesa e dytë e takimit nuk kishte ndonjë gol të prodhuar dhe si rrjedhojë rezultati final ishte ai i pjesës së parë, pra 4:0.

Kështu forma e mirë në ndeshjet miqësore në prag të fillimit të Premierligës, duket se ka qenë vetëm kamuflazh, pasi që ajo formë nuk është vënë në dukje në asnjërin nga dy takimet e para.

Lajme të ngjashme