Mikel Arteta nuk ka dyshime që Saliba dëshiron qëndrimin te Arsenal
Trajneri Mikel Arteta nuk ka dyshime që qendërmbrojtësi William Saliba dëshiron të qëndrojë te Arsenal pas spekulimeve se lidhjet e lojtarit me klubin nuk janë shumë të mira.
Saliba iu bashkua Arsenalit nga Saint-Etienne në vitin 2019, për 27 milionë funte, por hyri në ekipin e parë vetëm këtë sezon.
Arsenal dëshiron t'ia rinovojë kontratën ngase ka qenë në formë brilante dhe është në dy vitet e fundit të kontratës, edhe pse ka opsion për ta vazhduar edhe për 12 muaj.
Sidoqoftë, Arteta është shumë optimist se francezi do të arrijë marrëveshje të re me klubin londinez.
"Isha shumë i impresionuar dhe befasuar kur bisedova me të. Lidhja sapo ka nisur, isha i shqetësuar nëse kishte probleme, sepse ai kishte disa pritje të sigurta".
"Mirëpo, ai ka qenë i vendosur që të luajë për Arsenalin. Nëse shikoj se si flet për klubin dhe sa dëshirë ka të qëndrojë këtu, nuk kam dyshime se dëshiron që të vazhdojë të jetë këtu", deklaroi tekniku spanjoll.

Pasi iu bashkua "Topçinjve", Saliba menjëherë u rikthye në formë huazimi te Saint-Etienne. 21-vjeçari që pritet të pushohet sot kundër Bodo/Glimt në Ligën e Evropës, u rikthye në vitin 2020 dhe pritej që do të shkonte menjëherë në ekipin e parë.
Në vend të kësaj, Arsenal provoi ta huazojë sërish te Saint-Etienne, por marrëveshja nuk u kompletua para se të mbyllet afati kalimtar. Qendërmbrojtësi kaloi gjashtë muajt e mbetur për grupmoshat U23 të Arsenalit para se të huazohej te Nice në janarin e 2021.
Saliba u huazua sërish edicionin e kaluar te Marseille dhe pavarësisht që kaloi tre vite, tani ka bindur Artetan.
Në anën tjetër, Arsenal është në negociata që të rinovojë kontratat edhe të Bukayo Saka dhe Gabriel Martinellit, të cilëve njësoi si Salibas iu skadon kontrata në vitin 2024.
"Topçinjtë" kanë opsionin për t'ia vazhduar kontratën Sakas edhe për 12 muaj, derisa Martinellit për dy të tjera.
"Sinqerisht, ne kemi planin për të ardhmen dhe jemi duke punuar në këtë aspekt. Edu është top dhe i gjithë bordi po mundohet të bëjë gjëjën e duhur, të jem të drejtë dhe të gjejë planin më të mirë për të falënderuar lojtarët që në mendimin tonë kanë të ardhme të madhe. Kur të kemi diçka për të njoftuar, ne do ta bëjmë atë", shtoi Arteta.
Ndërkohë, përballja mes Arsenalit dhe Bodo/Glimtit do të nis në ora 21:00.