Meti Thaçi, 19-vjeçari që e frymëzoi Çairin drejt promovimit në elitën e basketbollit maqedonas: Kemi bërë histori - NACIONALE

Meti Thaçi, 19-vjeçari që e frymëzoi Çairin drejt promovimit në elitën e basketbollit maqedonas: Kemi bërë histori

2 muaj më parë

nga Vivianit Gërguri

Meti Thaçi mund t’i ketë mbushur 19 vjet së fundmi, por ai ka arritur diçka të jashtëzakonshme që jo shumë bashkëmoshatarë të tij mund ta ëndërrojnë, promovimin e skuadrës në garën elitare të basketbollit në Maqedoninë e Veriut.

Meti Thaçi, i biri i legjendës së basketbollit shqiptarë Muhammed Thaçit, ka arritur ta frymëzojë BC Çair 2030 drejt promovimit në Superligën e Basketbollit në Maqedoni të Veriut, duke e bërë atë skuadrën e parë shqiptare në garën elitare maqedonase pas tetë viteve.

BC Çair 2030 pati një sezon fantastik, duke pësuar vetëm një humbje në 21 ndeshje gjatë sezonit të rregullt.

Këtë formë të mirë Çairi e vazhduan edhe në play-off, së pari duke e mposhtur lehtësisht Vodno Suns në dy ndeshje.

Në ndeshjen e parë si vendas Çairi fitoi me rezultat 105:78, e të dytën e fitoi si mysafire me rezultat 90:75, kështu duke kaluar në gjysmëfinale të play-offit.

Në Gjysmëfinale u takuan me Vardarin në duelin e qytetit të Shkupit, ku u deshën tri ndeshje për të dhënë finalistin e dytë.

Takimi i parë u fitua nga Çairi si vendase me rezultat bindës 84:56, por që në ndeshjen e dytë Vardari befasisht barazoi serinë me një fitore të ngushtë 85:81.

Takimi i tretë dhe vendimtar u zhvillua në Çair dhe nuk kishte si të përfundonte tjetër veçse me fitoren e KB Çair 2030 me rezultat të thellë 85:59.

Ndeshja e tretë ishte vendimtare edhe për faktin se skuadra fituese do të inkuadrohej në ligën më elitare në Maqedoninë e Veriut, dhe këtë mundësi të artë e shfrytëzuan Meti Thaçi me bashkëlojtarë që së bashku me Strumicën do të jenë nga sezoni i ri, skuadrat më të reja në Superligë.

Ndeshja finale mes KB Çair 2030 dhe BC Strumica zhvillohet këtë të shtunë me fillim nga ora 18:00, dhe do të luftojnë për titullin kampion në vetëm një ndeshje.

Ndonëse finalja zhvillohet vetëm në një ndeshje, këto dy skuadra do të takohen edhe më shpesh në Superligë.

Meti si 19-vjeçar është lideri i skuadrës dhe lojtari më efikas i saj, ai gjatë play-offit pati statistika të jashtëzakonshme, ku në pesë ndeshje kishte mesatare prej 21 pikë, 11 asistime e shtatë rebounds me një saktësi prej 51% në gjuajtje nga distanca për dy pikë dhe tre pikë, ndërsa nga gjuajtjet e lira me saktësi prej 93%.

Më poshtë intervista e Gazetës Nacionale me Meti Thaçin

Gazeta Nacionale

Çfarë ndjenje është me qenë lider i një skuadre shqiptare që pas shumë viteve futet në Superligën Maqedonisë së veriut?

Meti Thaçi

Padyshim që është ndjenjë e mirë të jesh pjesë e një projekti apo ekipi i cili ka dominuar ligën e dytë dhe ka shkruar historinë duke u futur në Superligën e Maqedonisë veriore, jam munduar dhe kam dhënë gjithmonë maksimumin e në fund suksesi dhe shpërblimi ka ardhur.

Gazeta Nacionale

Si e përshkruan sezonin tënd me pak fjalë, a mund te thuash qe ishte me i miri ne karrierë?

Meti Thaçi

Ka shumë vite që me gjenerata të ndryshme jam bërë kampion, por ky ka qenë suksesi i parë në ligë profesionale. Edhe pse 18-vjaçar(tani 19-vjeçar) kam bërë një sezon për t’u mbajtur mend dhe kam ndihmuar ekipin në shumë aspekte, shpresoj të kem sezone edhe më të mira, por ky sezon deri më tani ka qenë kulmi.

Gazeta Nacionale

Marrë parasysh talentin që posedon, ti ke mundur shumë lehte të shkosh në një skuadër më me emër si në Maqedoni të Veriut ashtu dhe në vendet tjera të rajonit. A të kënaq më shumë ky sukses, apo të shkoje tek një skuadër më e fortë?

Meti Thaçi

E di që kam mundur të luaj edhe në Superligë por me minuta më të limituar. Këtë sezon e konsideroj investim në formë fizike dhe në karrierën time dhe një sezon i cili më ka sjellë shumë eksperiencë, prandaj jam i kënaqur këtu.

Gazeta Nacionale

Qëllimi yt për të ardhmen, të rritesh edhe pak në këtë skuadër tashmë në Superligë, apo në kërkim të shpejtë të një eksperience në arenën ndërkombëtare?

Meti Thaçi

Hapi parë është të negocioj me Çairin për të vazhduar ketë udhëtim edhe për një vit nëse gjejmë rrugë të përbashkët. Por është shumë normale që nëse kam ofertë nga jashtë apo nga Kosova do ta konsideroja, fundja unë jam profesionist që veç kam filluar të jetoj nga basketbolli.

Lajme të ngjashme