Messi: Do ta bëjmë më të mirën e mundshme në Botëror
Lionel Messi ka zhvilluar një intervistë të gjatë për të përditshmen argjentinase “Ole” vetëm pak ditë para fillimit të Botërorit. Ai premtoi se lojtarët do ta japin maksimumin për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni.
Padyshim se Botërori është ngjarja më e madhe e vitit në futboll. Akoma e më madhështore këtë ngjarje e bën fakti që Lionel Messi, si njëri prej lojtarëve më magjikë që njohur ndonjëherë ky sport, do ta luajë Botërorin e tij të fundit.
Ashtu siç dihet, ky është i vetmi trofe që i mungon në vitrinën e tij të pasur. Argjentina dje publikoi listën e lojtarëve për Botërorin që do të zhvillohet në Katar, e që do të nisë nga në fundjavën e ardhshme.
Lionel Messi i prin listës si kapiten i ekipit kombëtar. Ai për gazetën argjentinase “Ole” u zotua se do të luftojnë me të gjithë qenien e tyre për ta bërë një ecuri sa më pozitive në këtë garë.
“Shpresojmë ta japim maksimumin si gjithmonë dhe të luftojmë. Ne do të luftojmë kundër çdokujt në fushë, sepse ky grup lufton në çdo ndeshje si i barabart, qoftë kur luan mirë ose keq”, tha ai.

Katër Botërore të luajtura
Lionel Messi Botërorin e parë e ka luajtur në vitin 2006, që u zhvillua në Gjermani. Ndërsa më së shumti iu afrua të ngadhënjenjte në vitin 2014, kur u mposht në finale 1-0 nga Gjermania.
Messi katër Botërorët ku ka marrë pjesë deri më tani i sheh të ndryshme: “Eh, në Botërorin e parë isha shumë i ri. Zbavitesha dhe në të njëjtën kohë kisha nervozën dhe dëshirën brenda vetës për të luajtur më shumë, për të dhënë më shumë. Nga njëra anë është gjë e mirë, por nga ana tjetër vlerësoj që kam humbur shumë gjëra duke menduar.”
Ai e gjykon finalen e 2014-ës si përvojë të paharrueshme: “Pastaj në Botërorin e 2014-ës u paraqitëm shumë mirë. Ka qenë një përvojë e paharrueshme, ku vërtet jam zbavitur tej mase dhe ku është bërë më i qartë se asnjëherë më parë sesa i rëndësishëm është një grup i fortë dhe i bashkuar.”

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë mendon se ka shumë ngjashmëri mes këtij grupi të lojtarëve dhe atij që shkoi deri në finale në vitin 2014.
“Sot, ndiej që ka shumë ngjashmëri mes kësaj skuadre dhe asaj të vitit 2014, së bashku me të gjithë atë rrugëtim që u bë deri në Botëror. Më duket që asocon shumë. Grup lojtarësh që ka qëndruar gjithmonë bashkërisht. Grupi dhe fuqia mendore mendoj që janë shumë të rëndësishme”, shpjegoi Messi.
Ylli argjentinas mendon se ka mësuar një gjë, që të arriturit fitore në ndeshjen e parë hapëse në Botëror ndikon shumë në ecurinë e mëtejme.
“Mandej, mendoj që kam mësuar një gjë, se të nisurit me këmbë të parë në Botëror duke fituar ndeshjen e parë është përcaktuese dhe vendos shumë fatin e ecurisë së mëtejme në garë”, u shpreh ai.

Argjentina do të jetë në Grupin C në Botëror. Ndeshjen hapëse do ta luajë më 22 nëntor ndaj Arabisë Saudite. Kujtojmë se në Grupin C janë edhe Meksika dhe Polonia.
Ndërkohë para se të fillojë Botërori Argjentina do ta luajë ndeshjen e fundit testuese kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, respektivisht më 16 nëntor (të mërkurën e javës së ardhshme).

