Meritan Shabani dikur refuzoi me arrogancë Kosovën, sot në rënie të lirë
Vigjilja e kërshëndellave të vitit 2019 kishte bërë që në Prishtinë të jehonte një atmosferë plot gjallëri në qarkun e dashamirësve kosovarë të futbollit. Meritan Shabani kishte ardhur në Kosovë.
Më 23 dhjetor të vitit 2019, pranoja një mesazh nga një mik i imi futbolldashës dhe lobues i madh për t'i bindur lojtarët e ndryshëm me prejardhje nga Kosova që t'u bashkohen dardanëve. Ai më njoftonte se një zyrtar i rëndësishëm i Federatës së Futbollit të Kosovës e kishte takuar Meritan Shabanin. I njëjti ishte në një tavolinë me Leon Dajakun (atëherë lojtar relativisht premtues i të rinjve të Bayern) në njërin prej lokaleve të Prishtinës.
Një grup i madh vullnetarësh ishin zgjuar në këmbë që t'i ofronin mirëseardhjen e dëshiruar, sa për ta nxitur sa më shumë që t'i bashkohej Kosovës. Në kushte si jo-formale, ashtu edhe formale, zyrtarë kompetentë brenda shtëpisë kosovare të futbollit i kishin dërguar ftesë që të takoheshin në ambientet e Federatës, për t'ia paraqitur planin për ta veshur fanellën e Kosovës.
Një nismë e cila shkoi huq. Për net dhe ditë të tëra në Prishtinë, ku edhe vetë isha dëshmitar, u bë përpjekje në çdo formë që t'u jepej rasti vetëm që t'ia prezantonin ofertën. Asnjë përgjigje pozitive nga Shabani. Njësoj as nga Dajaku.
Ishte paksa paradoksale qasja e Shabanit. Në fakt, e tillë mbetet akoma. Ai në verën e vitit 2019 kishte nënshkruar kontratë tri vjeçare me Wolverhampton. Te Bayern Munchen ishte aktivizuar për disa vite në grupmoshat e reja. Si mesfushor, prapë ofronte diçka që Kosova nuk e kishte. Një të ardhme që atëbotë dukej premtuese mjaftueshëm sa për t'i kryer punë një reparti në rënie siç ishte ai i mesfushës te Kombëtarja dardane, e që sinjalet e para të tilla i kishte vënë në pah gjatë atyre muajve, kur Kosova luante ciklin e rregullt kualifikues për Evropianin 2020.

Meritan Shabani është i lindur në rajonin e Bavarisë. Tashmë ai është 23-vjeç. Gjatë këtyre tri viteve nuk ka lënë asnjë gjurmë. Për hir të vërtetës, ka pasur probleme edhe me lëndime të rënda heraherës. Gjithsesi, ajo që ia vlen të theksohet është se nuk ka arritur ta bëjë dallimin për asnjë çast te skuadra rezervë e Wolverhampton, duke bërë kështu që pas tri viteve të kaluara atje, ata të mos llogarisnin më te ai aq sa ishin planet në fillim.
Shabani, si shumë lojtarë të tjerë, heshturazi, me një habi të çuditshme, priste një thirrje të Gjermanisë, qoftë edhe në edicionin e fundit të Olimpiadës. Diçka e tillë nuk u realizua qoftë për të apo për Rexhbecajn dhe të tjerët që ndanin të njëjtën shpresë.
Në moshë 23-vjeçare, Shabani vazhdon të jetë si lojtar që nuk luan në asnjë Kombëtare. Në anën tjetër, te Kosova shumë lojtarë kanë përfituar nga ndeshjet që i kanë luajtur në fushata kualifikuese me dardanët, pasi kanë rënë në sy të skautëve të ndryshëm dhe u ka shërbyer si CV e vlefshme për ta kompletuar një transferim të caktuar.

Kushedi, Shabani të paktën tani për tani ende po shikon qiellin me sy të hapur për të ëndrruar një ftesë nga Gjermania, që është aq iluzionare, sa që s'mund të përshkruhet me fjalë.
Në çdo rast, duhe thënë se karriera e tij është në rënie të lirë. Ai gjatë ditëve të fundit ka qëndruar në prova te klubi i Grasshoppers, por deri më tani nuk raportohet se ka bindur mjaftueshëm drejtuesit zviceranë.
Meritani ka edhe një vit kontratë të vlefshme me Wolverhampton. Patjetër, nuk është në fundin e karrierës së tij. Mirëpo, më shumë ndoshta do t'i shërbente atij minutazhi te Kombëtarja e Kosovës nëse do ta pranonte ftesën dikur sesa që do të ishte vetë në interes të kësaj të fundit.
Rezistenca për t'i thënë "jo" Kosovës mund të mosjetë e përjetshme. Dikur vjen edhe përgjigja "po". Por, kur vjen në një katandisje të tillë të formës, ndoshta edhe interesimi i Kombëtares së Kosovës më nuk do të jetë i njëjtë sikur më herët. Ndërkohë, mund të konstatohet se arroganca e Shabanit dhe përfaqësuesve të tij, agjentëve respektivisht, ka bërë që ai të jetë gjithmonë e më i margjinalizuar në botën e futbollit që peshon.
