Menaxheri Mendes po bën gjithçka për ta larguar Ronaldon nga Manchester Unitedi
Cristiano Ronaldo i luajti minutat e parë të përgatitjeve parasezonale dje, por sulmuesi portugez është ende duke kërkuar më ngulm të largohet nga Manchester Unitedi.
Ronaldo nuk u rikthye për stërvitjet parasezonale për arsyeje familjare dhe mungoi në turin e Unitedit në Tajlandë dhe Australi, raporton Nacionale.
37-vjeçari luajti për herë të parë në këtë fazë parasezonale 45 minuta në barazimin e djajve të kuq me Rayo Vallecanon të dielën, por u largua nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes.
Dailymail shkruan se disa lojtarë të tjerë, përfshirë Diogo Dalot, u larguan nga Old Trafford më herët dhe kjo nuk është diçka për të cilën është shqetësuar Unitedi.
Nuk është e pazakontë që Ronaldo luajti vetëm 45 minuta po ashtu, duke qenë se superylli portugez ka stërvitur vetëm dy ditë para ndeshjes së tij të parë miqësore këtë verë.
Megjithatë, menaxheri i Ronaldos, Jorge Mendes, është ende duke punuar fort për t’ia gjetur atij një klub të ri para se të mbyllet afati kalimtar i verës dhe do të bëjë gjithçka që mundet, sipas mediave angleze, për ta bërë këtë të mundur, pavarësisht qëndrimit të prerë të Unitedit se ai do të qëndrojë.
E ardhmja e Ronaldos ka qenë në dyshim që prej se ai e shprehu dëshirën për t’u larguar nga Unitedi para fillimit të sezonit 2022/23.
Është përfolur se Ronaldo i është vetëofruar klubeve si Chelsea, Atletico Madrid, Paris Saint-Germain, Bayern Munich, Real Madrid dhe Inter, në përpjekje për ta gjetur një klub që luan në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Por asnjëri prej klubeve të lartpërmendura nuk ka shprehur gatishmëri për ta afruar pesë herë fituesin e Topit të Artë.
Ronaldo nuk është i bindur nga projekti i Unitedit dhe, përveç mungesës në Ligën e Kampionëve, ai ka dyshime serioze se djajtë e kuq mund të luftojnë për ndonjë trofe sezonin e ardhshëm, prandaj është i vendosur të largohet.
Në aspektin personal, Ronaldo kishte sezon të mirë në Old Trafford sezonin e kaluar, por kjo nuk i ndihmoi Unitedit ta fitojë ndonjë trofe apo ta përfundojë sezonin më lart se vendi i gjashtë në Premierligë.
Ai u zgjodh në ekipin e sezonit të kaluar në Premierligë, falë 18 golave në 30 paraqitje për djajtë e kuq.

