Menaxheri e mohon lajmin se ish-ylli i Premierligës u shpëtua: Ai mbetet i ngujuar nën rrënoja fatkeqësisht - NACIONALE

Menaxheri e mohon lajmin se ish-ylli i Premierligës u shpëtua: Ai mbetet i ngujuar nën rrënoja fatkeqësisht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nana Sechere, menaxheri i futbollistit Christian Atsu, i ka hedhur poshtë lajmet se mesfushori ganez është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e Tërmetit vdekjeprurës që e goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën herët në mëngjes.

Dje u raportua se Atsu, i cili luan për Hatayspor në Superligën turke, u nxor i gjallë nga rrënojat e tërmetit. Madje, një zëdhënës për media i Hatayspor tha dje se ai ishte dërguar në spital i lënduar.

Megjithatë, Sechere, i ka mohuar këto lajme sot përmes një njoftimi i Twitter, ku shkroi se ish-mesfushori i Newcastle Unitedit në Premierligë vazhdon të jetë i zhdukur diku nën rrënoja.

“Pas lajmet të djeshme se Christian është nxjerrë i gjallë, ne ende nuk e dimë se ku ndodhet Christian. Siç edhe mund ta paramendoni, kjo vazhdon të jetë një kohë e vështirë për familjen e tij dhe ne po bëjmë gjithçka për ta gjetur Christianin”, tha Schere.

“Të dhëna zyrtare do të jepen sapo të mësojmë më shumë. Ju lutem respektojeni privatësinë e familjes gjatë kësaj kohe të tmerrshme, dhe përmbahuni nga shpërndarja e lajmeve të pasakta sepse ato vetëm sa i pengojnë kërkimet për Christianin. Faleminderit për lutjet dhe përkrahjen”, shtoi ai.

Edhe trajneri i Hatayspor, Volkan Demirel, foli për Atsun dhe drejtorin e klubit, Taner Savut, i cili është zhdukur po ashtu.

Nuk ka lajme nga Atsu dhe Taner Savut akoma. A do ta ndaja këtë me ju nëse ata do të ishin në spital? Sapo të kemi lajme, do t’i ndaj me ju”, tha Demirel.

Ndërsa doktori i klubit i Hatayspor, Gurbey Kahveci shtoi: “Ne shkuam në spital, por ai nuk ishte aty. Fatkeqësisht, ne e pranojmë se Taner dhe Chrsitian Atsu nuk janë gjetur ende”.

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë mbi 11 mijë njerëz në të dy vendet.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 8,574, sipas autoriteteve vendase.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 2,662 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme