Megjithëse janë në krizë, Klopp paralajmëron se s’do të ketë përforcime të reja ditëve të ardhshme - NACIONALE

Megjithëse janë në krizë, Klopp paralajmëron se s’do të ketë përforcime të reja ditëve të ardhshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Liverpool po shënon një rënie të madhe në krahasim me sezonet e fundit. Sot, Brighton e eliminoi nga Kupa FA, duke e mposhtur 2:1. Sidoqoftë, Jurgen Klopp deklaroi se nuk do të bëjnë transferime të reja në këtë afat kalimtar.

Kriza nëpër të cilën po kalon Liverpooli ka filluar të jetë sfilitëse dhe kokëçarëse për tifozët e vet. Shumë ia atribuojnë mungesës së afrimeve të lojtarëve në repartin e mesfushës, i cili nuk po paraqitet në nivelin e pëlqyeshëm.

Sido që të jetë, vetë trajneri Jurgen Klopp pas fundit të ndeshjes për Kupën FA ku u eliminua 2:1 në udhëtim kundër Brightonit, paralajmëroi se do të vazhdojë me këtë skuadër që ka në gatishmëri edhe në pjesën e mbetur të sezonit.

“Asgjë nuk do të ndodhë në këtë afat kalimtar. Gjithçka është mirë me këtë ekip që kam”, tha ai.

Pra, Gakpo, që edhe ashtu nuk po bind aspak me paraqitjet e tij të para, do të mbetet si përforcimi i vetëm i këtij afati kalimtar të janarit për “Të Kuqtë”.

Pasi u eliminuan nga të dy kupat në nivel kombëtar dhe pasi kanë mbetur shumë mbrapa në renditjen tabelore në Premierligë, i vetmi kompeticion në të cilin mbetën në garë në këtë sezon është Liga e Kampionëve.

Liverpooli do të luajë sërish kundër Real Madridit. Kësaj radhe jo në finale, por në 1/8 e finales të kompeticionit më të madh futbollistik. Me këtë formë që po kalon skuadra nga “Anfield”, gjasat nuk janë fort shpresëdhënëse. Shto këtu mungesën e përforcimeve, për Liverpoolin do të ndërlikohen akoma më shumë punët.

Lajme të ngjashme