Megjithëse e licencoi, MKRS-ja i jep afat FFK-së t’i plotësojë edhe disa kushte
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka dhënë afat Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që t’i plotësojë edhe disa kushte pavarësisht licencimit.
Pas një drame që sa kohe, FFK mori licencën të premten nga Ministria e Sportit.
Mirëpo, jo të gjitha kushtet janë plotësuar. Tetë klube kosovare ende nuk i kanë përmbushur të gjitha kërkesat, gjë që ka bërë që Ministria e Sportit ta licencojë Federatën, por njëkohësisht këto klubet brenda 90 ditëve të ardhshme të plotësojnë kërkesat, dokument të cilin e ka parë Gazeta Nacionale.
“Obligohet Fedarata e Futbollit të Kosovës që 90 ditë nga data e dhënies së licencës të bëjë plotësimin e të gjitha dokumentacionit për anëtaret e saj që nuk i kanë plotësuar kriteret sipas Udhëzimit Administrativ 03/2015 për Themelimin dhe Regjistrimin e Klubeve Publike dhe Private të Sportit, si dhe Udhëzimin Administrativ 01/2022 për Kushtet, Kriteret, dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-vlerësimit te Federatave dhe Organizatave Sportive, duke përfshirë edhe klubet e FFK-së të cilat janë pjesë e listës së Federatës së Futbollit të Kosovës që nuk i kanë plotësuar kriteret për licencim bashkë me anëtare e tjerë si më poshtë, shkruhet në rekomandimin e Ministrisë.

Tetë klube nuk i plotësuan kërkesat për licencim
Për dallim nga shumica, ku si pasojë u licencua Federata e Sportit, tetë klube kosovare nuk i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme.
Katër prej tyre janë pjesë e Superligës së Kosovës, përfshirë Ferizajn, me presidentin e tyre Lulzim Abazi që ishte ndër kryesorët që kërkonte licencimin e menjëhershëm.
Sport Club Gjilani, KF Malisheva, KF Ferizaj dhe KF Drenica janë skuadrat e elitës së futbollit kosovar që s'ia dolën t'i përmbushin kriteret, derisa klubet e tjera janë FC Vushtrria, KF Liria, KF Istogu dhe KF Vllaznia.

Tani i mbetet këtyre klubeve që brenda 90 ditëve të plotësojnë të gjitha kushtet në mënyrë që licencimi i Federatës të kompletohet.
