Medon Berisha grumbullohet për ndeshjen kundër Interit në Serie A
Talenti kosovar, Medon Berisha, ka shënuar një hap të madh. Mesfushori i ri i Kombëtares dardane, pasi regjistroi një fazë parapërgatitore pozitive me Leccen, është grumbulluar për ndeshjen kundër Interit.
Faza parapërgatitore i shkoi për mrekulli. Nga lojtarët e rinj ishte më i dalluari, me ç'rast edhe ra në sy te stafi teknik i ekipit puljez të Lecces. Për mesfushorin 18-vjeç, Medon Berisha, po trasohet që tani një karrierë që premton shumë.
Tani mbetet në vazhdim të shihet se sa do t'i arsyetojë besimin dhe pritshmëritë. Deri më tani ai ka arritur ta bindë trajneri Baroni që të llogarisë tek ai.
Baroni e futi në mesin e 25 të ftuarve për ndeshjen që sot Lecce do ta luajë kundër Interit, e që shënon edhe javën e parë të edicionit të sivjem të Serie A. Ndeshja në fjalë do të zhvillohet sonte me fillim në ora 20:45.
Trajneri i Lecces zgjedh fjalë të mira për Berishën
Pas çdo përfundimi të ndeshjeve miqësore, trajneri Marco Baroni ka thënë fjalë miradije për Medon Berishën.
"Berisha ka dhënë përgjigje të rëndësishme në fushë. Involvimi në skemat e skuadrës të lojtarëve të rinj ka qenë i përshpejtuar", deklaroi ai pas përfundimit të miqësores kundër Parmas, që u humb me rezultat 1:0 para pak javësh.

Lojtarët e rinj si Berisha dhe Gonzalez kanë qenë ata që më së shumti kanë rënë në sy në këto ndeshje miqësore të zhvilluara nga skuadra jugore italiane.
Duke ditur faktin që në rastin e mesfushorit të shpresave të Kosovës mosha e tij është shumë e re, si 18-vjeç, atëherë nënkupton se hapat e bërë nga ai janë domethënës, ani se i duhet akoma kohë.
Tiparet teknike si lojtar
Medon Berisha luan si "10"-sh i lirë. Ai mund të luajë qoftë në mesfushën me 3, qoftë edhe mbrapa sulmuesit ose sulmuesve në 4-2-3-1 apo 4-3-1-2.
Ajo çfarë shquhet talenti 18-vjeç ka të bëjë me teknikën e tij të përsosur me posedim të topit. Ka tipare të ngjajshme me Dion Berishën, lojtarin e Augsburg dhe të Kombëtare së Kosovës U21.
Atij i vijnë shumë natyrshëm depërtimet në zona të ngushta dhe driblimet në lojën një kundër një. Pa hiperbolizuar, pa ekzagjeruar - ishte ndër lojtarët më tërheqës te të rinjtë e Young Boys. Veten e vuri në spikamë posaçërisht në ndeshjen përballë Atalantës në UEFA Youth League gjatë fund vitit të kaluar. Ai ishte pjesë e një skuadre si Young Boys që punon shumë mirë viteve të fundit me lojtarë të rinj, duke arritur t'ua nxjerrë më të mirën atyre, për të inkasuar shifra të rëndësishme në tregun e lojtarëve, të cilat u mundësojnë që ta kenë një qëndrueshmëri financiare në bilancin vjetor (ndryshe nga Basel, ta zëmë).
Pra, nëse dhuntinë kryesore e ka teknikën dhe "aventurën" me top, nganjëherë edhe duke e tepruar, një e metë që mund t'i faturohet është e meta në pozicionim kur nuk është me topin në pronësi. Sa herë që Lecce nuk ka arritur ta ketë kontrollin në lojë, ai është zhdukur në fushë. Kur është vënë në dukje, ka ndodhur për ndonjë karton të verdhë ose ndërhyrje zhagas të pallogaritur mirë.
Loja me kokë nuk është fare në domenin e tij. Në përgjithësi, vuan paksa nga vazhdimësia në paraqitje, por është lojtari tipik që me një potez mund ta zgjidhë fatin e ndeshjes. Edhe pasimet vertikale dhe pasimet "no-look" (pa shikuar fare topin, e as lojtarin që dëshiron t'ia pasojë topin) - janë pjesë e karakteristikave të tij.
Më shumë i shpejtë në start me top sesa që është i shpejtë në përgjithësi. Kur e vendos startin me top, është vështirë i arritshëm. Pavarësisht që është 18-vjeç dhe llogaritet ende i ri, ajo çfarë mediat italiane me të drejtë ia atribuojnë si mangësi ka të bëjë me konstruktin trupor ende jo në nivelin e dëshiruar, çfarë bën që të humbasë shumë duele fizike.
Përvoja te Kombëtarja e Kosovës
Tri kombëtare, një shënjestër. Zbërthyer ndryshe - Zvicra, Shqipëria, Kosova dhe Medon Berisha. Në fakt, deri në vjeshtën e vitit të kaluar Berisha ishte futbollist i Shqipërisë U19, të drejtuar nga trajneri shkodran, Armando Cungu. Ai me kombëtaren kuqezi zhvilloi dy paraqitje. Ndërkohë që e kompletoi transferimin në Lecce, vetë mediat e afërta me klubin nga rajoni i Puglias, jepnin sinjale që, edhe pse Medoni ishte si lojtar i federuar i Shqipërisë, ishte akoma e paqartë se cilën kombëtare do ta përfaqësonte, sepse edhe Zvicra po bënte përpjekje për ta pasur në radhët e veta.
Dhe, nga plani i dytë, Kosova ia rrëmbeu Berishën nga duart Shqipërisë. Federata në këtë aspekt ka bërë punë shumë të mirë. Duke i njohur vështirësitë në afrimin e lojtarëve për ekipin e parë kombëtar, ka filluar që nga vera e shkuar një ofanzivë totale për t'i kontaktuar dhe afruar lojtarët me prejardhje kosovare kudo që gjenden ata, e që janë të moshës së re.
Pas këtyre paraqitjeve, ku spikati veçanërisht edhe ndaj skuadrave profesioniste si Bochum apo Parma, ai jo veç që ka zënë pozitë të rëndësishme te projekti i Lecces, por ka përçuar mesazh të qartë edhe për Kombëtaren e Kosovës A dhe FFK-në, të cilët heraherës janë kritikuar nga opinioni futbolldashës vendor që operojnë me vonesë në promovimin e futbollistëve te Kombëtarja seniore.
Nga kjo përspektivë, ftesa e Medon Berishës nga përzgjedhësi Alain Giresse, njësoj sikurse e talentëve të tjerë, edhe nëse do të nxitohej, do të ishte racionale për të ardhmen.
Gjithsesi, mosha ia lejon Berishës që të luajë edhe një kampanjë tjetër kualifikuese me Kosovën U21, e cila tashmë do të drejtohet nga përzgjedhësi i ri, Afrim Tovërlani.

