Më në fund Messi e thyen heshtjen për fishkëllimat që i mori nga tifozët e PSG-së
Lionel Messi e ka thyer heshtjen më në fund rreth fishkëllimave që ia bënë përkrahësit e Paris Saint-Germainit, duke e pranuar se kishte prishje serioze të marrëdhënieve mes tij dhe tifozëve.
Pjesë të përkrahësve të PSG-së në stadium i fishkëllenin Messit pothuajse vazhdimisht në ndeshjet në Parkun e Princave dhe veçanërisht kur ai u kthye në fushë pas një pezullimi dyjavor për vizitën e paprovuar në Arabinë Saudite.
Kjo bëri që bashkëlojtari dhe kapiteni i skuadrës Marquinhos dhe trajneri Christophe Galtier t’i dilnin në përkrahje fituesit të Kupës së Botës.
Ai e pranoi se një pjesë e tifozëve nuk pajtoheshin me të assesi, edhe pse nënvizoi se edhe Kylian Mbappe e Neymar ishin trajtuar njëjtë. Ndaj këtij të fundit madje pati protesta kah fundi i sezonit 2022.23.
“Fillimisht ishte shumë mirë, më kanë nxitur shumë siç e kam thënë shpesh, por pastaj njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe, disa prej tifozëve të Parisit. Marrëdhëniet u prishën seriozisht me një pjesë të madhe të tifozëve të Parisit. Natyrisht, ai nuk ishte qëllimi im", tha Messi.

Ai shtoi: "Por këto gjërat kanë ndodhur tashmë me Mbappen dhe Neymarin po ashtu, kështu i veprojnë ata. Por unë ende i mbaj në mend të gjitha ata njerëz që më përkrahën mua”.
Messi nuk ishte në gjendje ta ndihmonte PSG-në ta arrijë synimin përfundimtar, pasi klubi nuk mundi ta fitojë Ligën e Kampionëve gjatë kohës së tij në Parkun e Princave, edhe pse ai i fitoi dy tituj në Ligue 1 para se të largohej këtë muaj pas mbarimit të kontratës.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë i është bashkuar Inter Miamit si lojtar i lirë për të cilin pritet të debutojë në MLS kundër Cruz Azul më 21 korrik.

